Korrupsioni, ish-zv/drejtori tregon pazaret e tenderave në burgje

Ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë pas arrestimit të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto. Sipas akuzës, Labi ka pranuar të bashkëpunojë, duke treguar të gjitha pazaret e tenderave në burgje gjatë vitit 2015-2016.
Sipas tij, ish-drejtori Artur Zoto e ka orientuar për të takuar dhe biseduar me Ylber Kalanë, për ta shpallur atë fitues të tenderave të ushqimit në burgje. Mësohet se Labi ka dhënë edhe detaje të tjera në lidhje me tenderin, që korrespondojnë me provat e gjetura në aparatin e tij celular dhe të personave të tjerë të arrestuar.
Sipas dëshmisë së Labit, ka qenë Artur Zoto, ai që ka vendosur se kush shpallet fitues i tenderave të ushqimit në burgje. Zoto pritet të dalë para Gjykatës në ditët në vazhdim për verifikimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, dhënë të martën pak orë para arrestimit.
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve, Artur Zoto u vu në pranga pasditen e të martës. Arrestimi i tij u bë me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila i kishte kërkuar Gjykatës caktimin e masës së arrestit “burg pa afat” për Zoton. Gjykata, në vlerësim të provave të paraqitura nga organi i akuzës ka vlerësuar të drejtë kërkesën e bërë dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, të dyshuar për “korrupsion pasiv”. Prej disa muajsh, Zoto ishte nën hetim, që kur u arrestua dhe vartësi i tij ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Iliaz Labi. Dy ish-zyrtarët e lartë dyshohen si të përfshirë në abuzime në tenderat e ushqimeve. Urdhri i arrestit u zbatua nga Policia e Shtetit pasditen e djeshme.
Zoto u dorëhoq nga detyra në korrik të vitit 2016-të, ndërsa në letrën e shkarkimit i sqaronte ministrit të Drejtësisë në atë kohë, Ylli Manjanit se dorëhiqej për arsye personale dhe familjare. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dyshime të forta për implikimin e tij në aferat korruptive në tenderat e ushqimit në burgje, pas bisedave të përgjuara. “Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, i dyshuar për “korrupsion pasiv”, në kuadër të hetimit të nisur pak kohë më parë, ku u arrestua edhe ish-zëvendësi i tij, Iliaz Labi. Urdhri i arrestit është zbatuar nga Policia e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Artikulli paraprakKushëriri i ish-drejtorit kapoja i parcelave me kanabis në Ersekë
Artikulli tjetërE kapi dekriminalizimi, rrihet me sende të forta zyrtari në Durrës