Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim administratorin e kompanisë së naftës, “Tea Construction & Petrol”, ish-zv/drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave dhe disa punonjës dogane, të gjithë të përfshirë në një skemë mashtruese financiare, me vlerë mbi 2 milionë euro, si edhe me një dëm të pallogaritshëm nga qarkullimi në treg i naftës së papërpunuar si pasojë e veprimeve fiktive.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania “Tea Oil”, me administrator të pandehurin Adrian Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.
Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg, pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë. Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milionë euro nga shmangia e pagimit të akcizës.
Prokuroria e Fierit, në vijim të hetimeve të saj, ka konstatuar se “zhdukja” e 4.4 milionë litrave naftë “virxhin” të “Tea Construction & Petrol” është realizuar edhe për shkak se zyrtarët e doganave që kishin për detyrë të regjistronin lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse, nuk e kanë kryer detyrën e tyre.
Nga hetimi ka rezultuar se nga punonjësit e nivelit të lartë të administratës doganore janë kryer veprime që kanë lejuar Adrian Xhillarin me cilësinë e administratorit dhe aksionerit të vetëm të shoqërisë Tea Construction & Petrol Sh.a dhe këtë shoqëri, që t’i shmangen procedurave të mbikëqyrjes doganore, duke sjellë si pasojë fshehjen e të ardhurave dhe shmangien e detyrimeve nga këto subjekte.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka marrë të pandehur shtetasit dhe personin juridik, si më poshtë:
1. Adrian Xhillari, hetuar me mase sigurimi “arrest në burg” në mungesë, akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Fshehjes së të ardhurave” “Mospagimit të taksave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
2. Tea Construction & Petrol Sh.a, akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Fshehjes së të ardhurave”, “Mospagimit të taksave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
3. Lula Njebza, ish-zv.Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim;
4. Mirarbër Teneqexhiu, ish-Kryetar i Degës Doganore, Tiranë, hetuar me masë sigurimi ”detyrim paraqitje” e ndryshuar nga Gj.Lartë, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim;
5. Alfred Bushi, Doganier, Fier, hetuar me masë sigurimi “arresti në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”;
6. Syrja Misiraj, Doganier, Fier, hetuar fillimisht me masë sigurimi “arrest në burg, e ndryshuar më pas në”detyrim paraqitje” nga Gjykata e Lartë, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”;
7. Adrian Alikaj, hetuar me masë sigurimi “arresti në burg”, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.