Korrupsioni: Nga “lufta” me llafe pazari te lufta me Ligj dhe Drejtësi

Nga Preç Zogaj

Për një kohë të gjatë, rreth çerek shekulli, lufta kundër korrupsionit në sferat e larta, në vendin tonë, është zhvilluar në nivelin e gjesteve dhe llafeve, ku partitë kryesore PD, PS dhe LSI kanë akuzuar njëra-tjetrën për lloj-lloj skandelesh, shpërdorimesh, vjedhjesh. Përbetimet e krerëve të tyre nga transheja opozitare për çrrënjosjen e korrupsionit qeveritar kanë qenë kolona zanore e tranzicionit tonë të zgjatur.

Me të ardhur në pushtet, përveç poltronave në qeveri, kanë shkëmbyer edhe qëndrën e zërit të gurgulesë “antikorrupsion”, kuptimi i nënkuptuar i së cilës ka qenë: “Vjedhim duke bërë sikur po luftojmë njëri-tjetrin”.

Bilanci i këtij teatri cinik ka qenë rritja eksponenciale e korrupsionit nga rrotacioni në rrotacion dhe nga qeveria në qeveri, krijimimi i një “elite” të paprekshmish në sferat e larta, konsakrimi i pandëshkueshmërisë në këto sfera. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Akuzat që mbahen në nivelin e retorikës politike, duke shmangur zbardhjen e tyre në organet e drejtësisë, prodhojnë vetëm mjergullnajë, pra atë që duan realisht ujqërit e korrupsioni. Si të tilla ato vetëm e helmojnë shoqërinë, thoshte Makiaveli.

Një shembull tipik i antikorrupsionit retorik janë akuzat e Sali Berishës në opozitë kundër Ilir Metës në pushtet në vitin 2015 për aferën ÇEZ-DIA, që shohim të jenë përfshirë së fundi në akuzën penale të SPAK kundër këtij të fundit. Natyrisht jo me pikënisje nga Berisha.

Dikush që po lexon këto rreshta, por nuk i ka ndjekur ngjarjet mund të pyesë: Mirë politikanët e bënë zakon t’i nxirrnin sytë dhe të palarat njëri-tjetrin e pastaj të përqafoheshin me një “ashtu ishte loja”, po drejtësia ku ishte gjatë gjithë kësaj kohe? Pse nuk niste ajo hetimet kryesisht duke marrë shkas nga denoncimet e ndërsjellta të politikanëve, që zakonisht i dinë saktë bëmat e fshehta të njëri-tjetrit?

Drejtësia ishte e ndaluar të çonte ligjin në sferat e larta, ku kasta politike plurale-solidare mbretëronte si në pushtet, si në opozitë. Në kompensim, prokurorët dhe gjyqtarët ishin të inkurajuar të bënin pasuri në sferat poshtë, gjë që shumë prej tyre, siç është provuar nga vetingu, e kanë bërë. Drejtësia ka përmbushur në këtë mënyrë kuptimin shqiptar të kapjes së saj, që ishte mosfunksionimi i saj në majat e piramidës së pushtetit bipartizan.

Vdekja e ligjit në sferat e larta u parashkrua të arkivohej me votimin unanim të Reformës në Drejtësi nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016. Më tej, me daljen në skenë të organeve të reja të saj ku shquhen SPAK dhe GHKKO.
Kësisoj, epoka e “luftës” kundër korrupsionit me fjalë ka kaluar në fazën e hetimit konkret nga organi ligjor i akuzës që është SPAK.

Ky zhvillim është historik për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Kriza e drejtësisë sonë ka qenë pikësëpari kriza e akuzës penale. Me shumë pak përjashtime, Prokuroria nuk është lejuar të zhvillojë hetime të aferave me spec ku janë përfshirë zyrtarë shumë të lartë. Edhe aty ku ka pas nisur, siç janë Gërdeci, ÇEZ-DIA, 21 janari, e tjerë, hetimi është penguar të jetë shterues, i pakushtëzuar nga pozicioni politik i të përfshirëve në aferat përkatëse.

Ky kapitull i hidhur po mbyllet njëherë e përgjithmonë. Nuk ka më të paprekshëm. Nuk ka më mbi ligjin. Nuk ka më “ligji jam unë”.
Askush kundër të cilit do të ketë kallzime serioze apo të dhëna nga rrugë të tjera të pëfshirjes në afera korruptive nuk do t’i shpëtojë hetimit nga SPAK. As gjykimit në rastet kur hetimi do të prodhojë një akuzë penale.

Nga ana tjetër, askush që ndihet i pastër nuk ka arsye të verë kujën e anatemojë SPAK-un, por ta sfidojë atë në gjykatë. Gjykata është institucioni i vetëm që bën drejtësi në të tre shkallët e sistemit përkatës. Madje edhe në një shkallë të katërt që është Gjykata e Strasburgut. Shto edhe në një të pestë që është Gjykata Kushtetuese për çështje që kanë cënuar të drejtat kushtetuese të shtetasve. Në një sistem të tillë, drejtësia është e pamohueshme në shumicën dërrmuese të rasteve, për të mos thënë në çdo rast. Kush del i pafajshëm në gjykatë rilind edhe moralisht e politikisht, nëse ka ketë problem. Merr edhe dëmshpërblimin ligjor. Politika ka benefitet e veta, ka famën, por ka edhe trasparencën. Trasparenca nuk mund të ndalet më në burim, në hetim.

SPAK sulmohet egërsisht nga Berisha e Meta dhe anash-anash edhe nga Rama, pikësëpari sepse po bën detyrën që i ngarkon ligji, po bën fiks atë për të cilin është ngritur, po heton zyrtarë e ish zyrtarë të lartë, pavarësisht nga posti që kanë mbajtur a mbajnë.

Kjo stuhi është ngritur dhe shihet qartë se nuk do të ndalet. Përkundrazi: trasparenca ligjore do të ndriçojë aspekte të tjera të panjohura të veprimtarisë antiligjore e antipopullore të personave të inkriminuar. Edhe në versionin e fitores eventuale të ish Presidentit Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, prej së cilës kasta jonë plurale solidare, me Ramën lojtar në fushë, shpreson minimalisht të fitojë kohë për t’i thyer tehun e mbajtur dorën drejtësisë së re dhe maksimalisht ta tjetërsojë atë, duke i mbivendosur “drejtësinë tjetër të re” të komisionit parlamentar Xhafa. Iluzion. Mbështetja e fuqishme e drejtësisë së re nga SHBA, një shërbim në lartësinë e shërbimeve të mëdha që ky vend i madh ka bërë Shqipërisë prej më shumë se një shekulli, nuk ka asgjë gjasë të rreshtë.

Artikulli paraprak“Brigada VIII”, kulla e radhës në ish-Bllok
Artikulli tjetërDurim Bami arrestohet për herë të dytë në Dubai/ Çfarë po ndodh me një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Nikël