Carmen Fishwick
Pas gjashtë javësh në rrugë, protestuesit rumunë duket se kanë arritur një fitore të madhe pasi qeveria nuk e miratoi legjislacionin e korrupsionit që nxiti demonstratën më të madhe të vendit pas rënies së komunizmit. Por ata që iu përgjigjën pyetjeve të “The Guardian” thonë se kjo nuk mjafton dhe se do të kërkojnë rrëzimin e qeverisë.
“Qeveria është e korruptuar. Prioriteti kryesor që pas marrjes në dorë të pushtetit ishte të zhbënin punën më të madhe që është bërë në Rumani pas 28 vitesh: lufta antikorrupsion”, thotë Andrei, 28-vjeçari që ka protestuar në Bukuresht. “Askush nuk do të kthehet në epokën e korrupsionit masiv kur mashtrimet e organizuara mbeteshin të padënuara”.
Gjysmë milionë rumunë dolën në rrugë për të protestuar pasi qeveria kërkoi të miratonte një legjislacion për të dekriminalizuar korrupsionin për shumat nën 38 mijë paund. Kryeministri Sorin Grindeanu i Partisë Social Demokrate, i ngjitur në pushtet prej më pak se 1 muaji, e tërhoqi mbrapsht legjislacionin ditën e dielë. “Në një demokraci kaq të re me një histori të tillë, sjelljet e vjetra vështirë të lihen në harresë, por 27 vite korrupsion janë të mjaftueshëm”, thotë Adrei nga Buzau në lindje të Rumanisë.
“Ata kanë zgjuar gjigantin e fjetur të quajtur ndërgjegje dhe është e qartë që kanë frikë prej tij tani. Në qytetin tim prej 120 mijë banorësh, të cilët historikisht kanë mbështetur qeverinë, qindra dolën në rrugë për të protestuar”, thotë ai. Përfituesi kryesor i legjislacionit do të ishte lideri i PSD-së, Lviu Dragnea, i cili përballet me akuzën e mashtrimit të shtetit për shumën e 20 mijë paundëve. Dragnea ka thënë se nuk ka hequr dorë nga lidershipi i vendit, por sipas ligjit aktual, ai nuk mund të jetë kryeministër për shkak të vendimit gjyqësor kundër tij.
Nuk më intereson shumë fakti se deshën të nxirrnin disa njerëz nga burgu që kanë qenë ish-anëtarë të partive, por mënyra se si u përpoqën ta arrinin këtë ishte e neveritshme. Dekreti u miratua në mes të natës dhe nuk ishte shënuar as në rendin e ditës. Parlamenti u injorua plotësisht edhe pse situata nuk ishte emergjencë”, thotë Mihnea nga Rumania Jugore.
“Unë nuk dal zakonisht në protestë pasi jam e re dhe gjatë jetës time nuk ka pasur raste si ky i administratës aktuale që është 100 për qind i jashtëligjshëm. Nuk ka asnjë shans që ata të vazhdojnë të qeverisin pas një gabimi të tillë”. Grindeanu ka thënë se qeveria e tij, e cila fitoi 46 për qind të votave në dhjetor, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Kabineti i tij ka plane në vazhdim, përmend një tjetër urdhër, për të liruar 2,500 të burgosur që vuajnë një dënim prej më pak se 5 vitesh burgimi.
“Sot po e drejtojnë vendin të njëjtët njerëz që e bënin përpara revolucionit rumun të ‘89-ës, anëtarët e tyre të familjes apo miqtë e tyre”, thotë 32-vjeçarja Belinda. “Gjatë pesë viteve të fundit kam humbur të gjithë miqtë e mirë për shkak të emigracionit. Tani që jetojnë jashtë ata janë më të lumtur se sa kur jetonin në Rumani. Brezi im duhet të fitojë dhe të gjejë mënyra të reja për ta arritur këtë, përndryshe ky vend do të humbasë përgjithmonë. Nuk është ekzagjerim, kjo është e vërteta”.
Rumunët që i janë përgjigjur kërkesave për t’u intervistuar kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për një sërë çështjesh si mungesa e vendeve të punës, cilësia e ulët e edukimit, pagat e ulëta dhe sistemi i shkatërruar i kujdesit shëndetësor, si dhe për rolin e rëndë që luan korrupsioni në jetën e tyre. “Stresi është një fjalë që përshkruan më së miri gjendjen në të cilën jetojnë në këtë vend. Problemet tona të përditshme janë absurde. Nuk kam pse të pres 6 orë në radhë çdo muaj për të paguar taksat për shkak se institucionet nuk e kanë arritur akoma epokën dixhitale. Nuk kam pse të jetoj me frikë se një institucion mund të më mbyllë biznesin tim të vogël sepse nuk do të paguaj ryshfet”, vazhdon Belinda.
Rumania konsiderohet si një nga vendet më të varfër dhe më të korruptuarit e Europës. Vitin e kaluar, një raport i IPP vlerësoi se 15 për qind e anëtarëve të Parlamentit në vitin 2012 ishin nën hetim për korrupsion, ishte dënuar më parë ose kishin dhënë dorëheqjen nga posti për shkak të dënimeve kriminale.
“Korrupsioni është diçka me të cilin ne rumunët jemi mësuar. Kam frikë të shkoj në një spital shtetëror sepse më duhet të pres për orë të tëra dhe duhet të paguaj ryshfet”, thotë një 36-vjeçare nga Bukureshti. “Ka frikë të çoj fëmijët e mi në shkollë publike, ku ka shumë shanse që të traumatizohen nga mësuesit e frustruar që bërtasin dhe i dënojnë fizikisht fëmijët për t’i displinuar. Nuk më vjen mirë të pranoj se nuk kam asnjë zgjidhje tjetër veçse t’i paguaj mësuesit dhe drejtorin e shkollës”.
“Unë i jap ryshfet punonjësve publikë që ata të bëjnë punën e tyre dhe pres me ditë të tëra për të marrë një firmë. Ish-kryeministri Dacian Ciolos miratoi një dekret që i detyronte shkollat dhe spitalet të zgjidhnin punonjës në bazë të kritereve profesionale. Edhe pse ishte ide e mirë, një vendim i ri e anuloi këtë nismë”.
Rumunët janë mësuar duke vuajtur dhe nuk kishin zgjedhje tjetër veçse të arratiseshin jashtë shtetit dhe të gjenin punë në Europë që nuk i bënte askush tjetër si mbledhës frutash, pastrues, personel shërbimi e kështu me radhë. Ne meritojmë më shumë se kaq. Fatkeqësisht njerëzit janë aq të zhgënjyer se nuk shkojnë as të votojnë dhe rezultati ishte fitorja e social demokratëve, e vetmja parti me një grup të disiplinuar votuesish të gatshëm të merrnin pjesë në votime. Unë kam marrë pjesë në 6 protesta në Sibiu dhe do të vazhdoj ta bëj derisa dekreti të zhduket dhe qeveria të zëvendësohet. Jam lodhur me mënyrën se si social demokratët sillen me popullin rumun”.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI