Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim kancelaren e Gjykatës së Apelit, Durrës, Suzana Mandija, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv…të funksionarëve të drejtësisë”. E pandehura akuzohet se i ka marrë një shumë parash një shtetasi, me qëllim që të afronte datën e procesit gjyqësor civil që kishte qytetari në Gjykatën e Apelit në këtë gjykatë.
Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda, dërgon për gjykim edhe shtetasin Gëzim Shala, i akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”. Ky shtetas ka ndërhyrë tek e pandehura Mandija për të “ndihmuar” qytetarin që kërkonte shqyrtimin e çështjes së tij në një kohë sa më të shpejtë.
Nga hetimet, ka rezultuar se; Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në vitin 2015, ka referuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin e shtetasit S.T.
Kallëzuesi tregon se ka patur një problem pëer pronën e tij, e cila është në emër të vëllait të tij. Kallzuesi ka përfaqësur vëllain e tij në proceset gjyqësore. Për këtë qëllim ka hapur proces gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë, Elbasan. Gjykata e pranoi kërkesën dhe vendosi detyrimin e ZVRPP Gramsh për të bërë regjistrimin e parcelës, sipas aktit të marjes së tokës në pronësi. ZVRPP e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit Durrës.
Për rreth një vit nuk ka patur asnjë njoftim për caktimin e datës për zhvillimin e seancës gjyqësore. Është interesuar pranë Gjykatës së Apelit, tek sporteli i kancelares, dhe meqenëse sporteli ishte i mbyllur është ulur në kafen, e cila ndodhet brenda ambjenteve të kësaj gjykate. Aty brenda gjeti një grua rreth 35-40 vjeçe, me gjatësi rreth 165 cm, me flokë të zeza të prera shkurt. Ajo e pyeti si me nxitim që si e ka problemin dhe S.T i ka thënë që ka një çështjë civile, por ka kaluar shumë kohë dhe akoma nuk ka njoftim se kur do të zhvillohet. Ajo mori numrin e Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit dhe shkoi në zyrën e saj.
Pas rreth një ore, ajo i thotë se do ta ndihmojë për caktimin e datës që të jetë sa më afër, por nuk merr dot gjë përsipër për gjyqtarët, duke e lënë të kuptonte që për gjyqtarët duhet të flisnin përsëri. Pas rreth 2-3 muajsh u caktua data për zhvillimin e seances gjyqësore. Kur ishte data e gjyqit shkon përsëri në Gjykatën e Apelit dhe ulet në lokalin që ndodhej brenda ambienteve të gjykatës, dhe prapë po ai kamarier e njofton Zanën se doja ta takoja. Zana vjen dhe ulet në tavolinën e tij ku S.T e falenderon që i caktoi një datë për gjyqin.
Trupi gjykues e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit, ku ai ishte fitues dhe vendosi që kjo çështje të kthehej dhe një herë për gjykim në Shkallën e Parë, por të gjykohej nga një gjyqtar tjetër me pretendimin se Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit nuk e ka gjykuar drejt çështjen.
Çështja u kthye përsëri për gjykim në Elbasan. Kjo çështje zgjati dhe dy vjet të tjera deri sa Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit të jepte një vendim. Gjykata e Shkallës së Parë i dha përsëri të drejtë paditësit S.T dhe vendosi detyrimin e ZVRPP që ta bënte regjistrimin e parcelës, si dhe plotësoi të gjitha detyrat e lëna nga Gjykata e Apelit Durrës. Ky vendim është apeluar përsëri në Gjykatën e Apelit të Durrësit nga ana e një personi tjetër si palë e paditur. Pasi kishin kaluar rreth 7-8 muaj akoma nuk i ishte caktuar një datë për zhvillimin e gjyqit. Kallëzuesi ka shkuar në Durrës tek Gjykata e Apelit për t’u interesuar për datën e gjyqit. Tek sporteli ishte një gocë tjetër, të cilës i shpjegoi pse kishte ardhur. Ajo gjithashtu i sugjeroi që të takohej me kancelaren për të caktuar një datë sa më të shpejtë për zhvillimin e gjyqit. E pyet se kush ishte kancelarja dhe i thotë se quhej Zana se është ajo që ka qenë më përpara.
Në lidhje me sa është parashtruar në kallzim, shtetasi S.T. ka pranuar me anë të marrëveshjes së nënshkruar me oficerin e Policisë Gjyqësore për të aplikuar përdorimin e metodave speciale të hetimit.
Në vijim të hetimit rezultoi se, e pandehura, gjatë ushtrimit të detyrës funksionale që ka, përkundrejt shpërblimit të padrejtë në para ka ndërhyrë në procesin administrativ të shortit të çështjeve, duke favorizuar kallzuesin S.T.
Ndërsa i pandehuri Gëzim Shala me veprimet e tij i ka kërkuar kallzuesit S.T. një përfitim të paligjshëm, duke i premtuar ndërhyrjen te kancelarja e Gjykatës së Apelit Durrës me qëllim për të ndihmuar kallzuesin në procedurën e shortit të çështjes civile.