Prof.Ass. Klodian Muço
Nëse do të ekzistonte një formulë algjebrike për të shprehur dëmet që politika dhe korrupsioni i shkaktojnë ekonomisë sot, do të mund të jepej në një formë të tillë:
Korrupsioni = (Ndikimi i shtetit x Burokraci) + Babëzia e politikanëve + Kostot e politikës – Kontrolli – Transparenca – (Ashpërsia e dënimit x Probabiliteti i të shpallurit fajtor).
Vlera e variablave në të djathtë varet nga ndjeshmëria e qytetarëve për temat e ligjshmërisë, apo më saktë nga konsensusi që ata i japin të korruptuarve. Ndërsa efektet korrupsionit sipas studimeve të ndryshme tregojnë se rritja e korrupsionit largon investimet e huaja në prodhim shumë më tepër se niveli i taksimit, duke penguar realizimin e njësive prodhuese apo infrastrukturave (sa fabrika të reja kemi pasur në vitet e fundit të ndërtuara nga të huajt)? Korrupsioni “ndot” përdorimin e burimeve publike, ushqen kriminalitetit dhe evazionin fiskal, minon konkurueshmërinë e ndërmarrjeve, falsifikon konkurrencën, pengon meritokracinë, redukton të ardhurat fiskale në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto (PBB), dhe privon qytetarët nga marrja e shërbimeve esenciale.
E gjitha kjo aktivizon një rreth vicioz që zvarrit proceset e zhvillimit dhe deprimon ambientin ekonomik: më pak investime, reduktim të punësimeve të reja, frenim të të ardhurave për konsum, më pak të ardhura fiskale në raport me potencialin ekonomik, reduktim të sasisë dhe cilësisë të shërbimeve publike, rritje e kostos së burokracisë dhe rritjen e pagesave direkte dhe indirekte nga ana e qytetarëve dhe sipërmarrjeve për marrjen e shërbimeve të caktuara.
Më shumë shpenzime për shërbime, më pak të ardhura, më pak burime publike dhe më pak të drejta për qytetarët. Këta të fundit të “lodhur” nga burokracia, padrejtësia, mungesa e konkurrencës etj, transformohen ose në shërbyes të sistemit, ose zgjedhin rrugën e emigracionit, duke e menduar gjithmonë e më tepër të ardhmen e tyre larg vendit (kjo ndoshta është arsyeja pse Shqipëria po plaket me ritmet më të shpejta në Europë).
Referuar një studimi ndërkombëtar mbi korrupsionin në nivel europian (qendra kërkimore Rand) vlerësohet se korrupsioni në nivel europian është rreth 900 miliardë euro.
Nëse do të përdorim të njëjtën metodologji për Shqipërinë rezulton se në Shqipëri është rreth 10% e PBB-së apo 2.5 miliardë euro në vit.
Janë numra që është e vështirë ti verifikosh për vetë natyrën e tij që ka korrupsioni, por që ndikimi negativ i korrupsionit në sistemet ekonomike është mëse i provuar.
Nëse do të shohim të dhënat e Bankës Botërore për korrupsionin dhe investimeve të huaja direkte, do të shohim se rritja e korrupsionit shoqërohet me ulje të fluksit të kapitaleve të huaja në një vend, si dhe ndikimit negativ në punësim duke nxitur ndërmarrjet të mbajnë dimënsione më të reduktuara. Ndërsa kur vërehet reduktim i nivelit të korrupsionit menjëherë në ato vende shihen rritje e numrit të ndërmarrjeve me kapital të huaj në atë vend.
Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, të dhënat e raportit të SPAK për 2023 nuk lënë vend për entuziazëm. Referuar raportit në fjalë rezulton se: krahasimisht me 2022 ka një rritje të konsiderueshme të hetimeve të nisura me 139% dhe 20% më tepër çështje të regjistruara në kuadër të korrupsionit por kur vjen puna për masën e sigurimit rezulton një tendencë rënëse me 3% të masës arrest me burg në raport me vitin e kaluar (arrest me burg përbën 49% të masave). Pra, në kompleks lufta kundër korrupsionit vazhdon akoma me rezultate anemike.
Normat antikorrupsion dhe një strukturë e posaçme kundër korrupsionit duken sikur janë bërë shumë të ashpra, por rezultatet tregojnë paaftësi për të reduktuar korrupsionin apo reduktimin e shpërdorimit të parave publike.
Të dhënat e Bankës Botërore për perceptimin e korrupsionit apo publikimet në median e shkruar tregojnë se edhe pse në pamje të parë masat e marra duhet të reduktonin korrupsionin. Administrata dhe shoqëritë publike kanë aplikuar formalisht rregullat dhe respektuar burokracinë pa reduktuar në mënyrë evidente shpërdorimin e fondeve publike apo përmirësuar konkurueshmërinë në tenderat apo në konkurset publike.
Sot nuk kemi të dhëna konkrete përsa i përket reduktimit të korrupsionit për përzgjedhjen në tenderat publike.
Sot nuk jemi në gjendje të verifikojmë se konkurset për mjekë, mësues, profesorë apo drejtues publikë zgjidhen me procese të rregullta konkurrueshmërie. Qoftë edhe nëse kemi një përmirësim në sistemit të matjes së meritës.
Ashtu siç nuk ka të dhëna që tregojnë se në tenderat apo koncesionet e dhëna është reduktuar shpërdorueshmëria e fondeve publike.
Për të ndryshuar nevojitet një fokus më efektiv i normave në fuqi, pra mundësisht që evidentimi i korrupsionit të dënohet automatikisht pa një proces gjyqësor. Kush ka shkaktuar shpërdorime të administratës publike të paguajë nga kursimet e veta. Këto do ishin masa konkrete që në të ardhmen të kemi spitale që nuk kanë mungesë ilaçesh bazë; të kemi studentë në universitete publike me nota që realisht i meritojnë ato. Të kemi drejtues të administratës publike që jo domosdoshmërisht të jenë dhe drejtues të partive në pushtet.
Të kemi besim të aplikojmë në një konkurs të administratës publike edhe pse nuk jemi militant. Si dhe që shkeljet e evidentuara nga KLSh të shkojnë në gjykata dhe një pjesë e parave publike të jenë kthyer te qytetarët./monitor.al