Kosova bojkoton takimin e Ramës me Vuçiç

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë anuluar përfundimisht pjesëmarrjen në takimin e paralajmëruar në Beograd mes dy kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç, i cili do të mbahet më 12 deri 14 tetor në Beograd.
Pjesë e këtij takimi do të ishin të pranishëm edhe nga pala kosovare. Por, këta të fundit anuluan vizitën e tyre, për shkak të vendimit të marrë nga Gjykata e Nishit, për rastin e Drejtorit të Policisë së Kosovës në Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.
Gazeta “Express” ka arritur të marrë konfirmimin e anulimit të kësaj vizite nga vetë pjesëtarët e delegacionit të Kosovës.
Blerta Deliu, deputete e Kuvendit nga PDK-ja e ka konfirmuar për “Express” anulimin e vizitës, si pjesë e panelit që parashihej të merrnin pjesë në Forumin e Gjashtë të Sigurisë në Beograd.
Vendimi i marrë nga Gjykata e Nishit për zyrtarin policor Nehat Thaçi, që të mbahet në paraburgim, ka shtyrë delegacionin nga Kosova i përbërë nga Blera Deliu, Ilir Dedaj, Ramadan Ilazi dhe Bajram Gecaj, që ta anulojë vizitën në Beograd, si pjesë e Forumit të Sigurisë.
Nehat Thaçi po akuzohet në Serbi për terrorizëm dhe për dëbimin e një familjeje serbe nga një fshat afër Lipjanit në vitin 1999. Këto akuza Thaçi i ka mohuar dje në procesin gjyqësor.
Takimi i dy kryeministrave, Edi Ramës nga Shqipëria dhe Aleksandar Vuçiç nga Serbia do të bëhet në Beograd, si pjesë e Forumit të Sigurisë së Beogradit.

Exit mobile version