Kosova, Bunjaki: Alban Meha është i mirëpritur

3 maji është një ditë e veçantë për futbollin kosovar. Në Kongresin e UEFA-s, që do të zhvillohet në Budapest, Kosova pritet të pranohet si anëtare e qeverisë europiane të futbollit, duke i hapur kështu rrugën dhe anëtarësimit në FIFA dhe pjesëmarrjes në eliminatoret e Botërorit Rusi 2018. Përtej aspektit institucional, në atë sportiv, trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki shprehet se, skuadra e tij është gati për një sfidë të tillë.
“Pas një kohe të gjatë të izolimit të sportit kosovar, në këtë rast futbollit, shpresojmë që data 3 maj të jetë një datë pozitive për futbollin kosovar dhe atë shqiptar në përgjithësi. Normalisht ne si staf teknik jemi përgatitur edhe pse situata nuk është fort optimale, pasi në 3 maj presim pranimin dhe në shtator fillojnë eliminatoret, mirëpo jemi të gatshëm të nisim këtë rrugë për të cilën faktikisht punojmë prej disa vitesh”, u shpreh Bunjaki.
Njohja ndërkombëtare e futbollit kosovar do t’u hapë rrugën futbollistëve të lindur në Kosovë që të përfaqësojnë shtetin më të ri të Europës në eventet ndërkombëtare. Por a do të thërriten lojtarët që aktualisht janë pjesë e Kombëtares Shqiptare? Bunjaki e bën të qartë, gjithsekush ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij personale.
“Së pari, mendoj se pranimi i FFK në UEFA dhe FIFA dhe Përfaqësueses Kosovare në kualifikime duhet të jetë një lajm pozitiv për gjithë shqiptarët. Në këtë moment, prioritet është pranimi i plotë pastaj do të shohim të gjitha proceset, të drejtat dhe mundësitë e lojtarëve. Personalisht mendoj se është e drejtë individuale e lojtarëve të vendosin për fatin e tyre dhe këtë nuk ka të drejtë t’ua heqë asnjë Federatë. Në aspektin sportiv, jam i përqendruar të ndërtoj një skuadër sa më të mirë dhe objektivi është që pas 4 vitesh të jemi në kualifikueset e Europianit. Është një proces, i cili mund të jetë i dhimbshëm për disa, mirëpo mendoj se është e drejtë njerëzore që lojtarët të vendosin për fatin e tyre”.
Një ndër futbollistët që duket më pranë kalimit te Kosova është Alban Meha. Mesfushori që po shkëlqen në Turqi nuk është grumbulluar prej disa ndeshjesh nga De Biasi. Njerëz pranë tij flasin për dëshirën e futbollistit për të luajtur me Kosovën në qytetin e tij të lindjes Mitrovicën, dhe Bunjaki nuk ngurron t’i hapë derën.
“Nuk ka dyshim, që Albani ka qenë në planet e mia edhe më herët para se të vinte në Kombëtaren e Shqipërisë, mirëpo në kohën kur ka qenë pjesë e Kombëtares Shqiptare ku akoma është Shqipëria ka qenë prioritet, pasi ka pasur kualifikimet dhe ka pasur përparësi. Në këtë moment që Kosova i afrohet kualifikimeve, ne pretendojmë të krijojmë një skuadër të fortë, dhe lojtarët që do të dëshirojnë të vijnë do të jenë të mirëseradhur. Albani është një lojtar që e njoh mjaft mirë dhe jo rastësisht është duke pasur sukses në Turqi dhe normalisht do të ishte i mirsëeardhur nëse shpreh dëshirë dhe ka të drejtë të vijë, pse jo”, përfundoi ai.

Exit mobile version