Trajneri i të gjithë trajnerëve, siç cilësohet në Kroaci, Çiro Bllazheviç, mendon se Kroacia do ta ketë shumë të vështirë përballë Kosovës, nëse vazhdojnë me këtë paraqitje. Shumë opinionistë thanë se është çështje fati se si kombëtarja kroate nuk arriti që të nxirrte pikë të plota në Zagreb kundër Turqisë.
Por, Bllazheviq, në një deklaratë për “Indeks.hr”, ka thënë se nëse skuadra kroate, e drejtuar nga Ante Çaçiç, nëse do të vazhdojë me këtë formacion, duke e angazhuar Mandzukiçin në pozitën ku “ai vetëm rri si fantazmë dhe pret topat që s’i vijnë kurrë”, do ta ketë të vështirë edhe përballjen me Kosovën në Shkodër.
“Nëse do të kishim të bënim me fatin që ka Çaçiç, deri tani do të ishim kampion bote. Por jo, nuk kemi të bëjmë me fat, por me paaftësi e panjohuri. Në Shkodër kundër Kosovës, me këtë formacion e me këtë mënyrë të udhëheqjes së ekipit, nuk do të kalojmë mirë”, ka theksuar Bllazheviç. Ai ka paralajmëruar turpërim të Kroacisë në Shkodër.
Bunjaki: Kosova do të bëhet si Kroacia
Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve në ndeshjen ndaj Finlandës. Ai thotë se në ekipin e tij ka kreativitet dhe se një gjë e tillë është pozitive për një përfaqësuese. “Për ndeshjet e ardhshme, për mua si trajner është e rëndësishme t’i kem 23 futbollistët në gjendjen më të mirë të mundshme si fizike, ashtu edhe për nga niveli i paraqitjes. Ndaj Finlandës kemi qenë fizikisht më të fortë e po ashtu kreativiteti ynë i lojës ka qenë shumë i lartë.
Jam frikësuar shumë se si do të organizohemi në mbrojtje, meqë kishim mungesa, por ia dolëm shumë mirë. Kemi treguar një paraqitje të mirë. Tani kemi dy sfida të radhës. Brenda tri ditësh do të luajmë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe të nivelit të lartë”, ka thënë Bunjaki.
Ai është shprehur se, rezultati i arritur në Finlandë është vazhdimësi e lojërave të mira që përfaqësuesja ka zhvilluar në miqësoret nga viti 2014. Kosova në katër miqësoret e fundit ka shënuar tri fitore dhe ka barazuar një herë. Barazimin e arriti ndaj Shqipërisë (2:2), kurse ka fituar ndaj Omanit 1:0, Guinesë Ekuatoriale 2:0 dhe me të njëjtin rezultat edhe kundër Ishujve Faroe.
Ndeshja me Ishujt Faroe ishte edhe e para pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. “Rezultati i arritur kundër Finlandës është vazhdimësi e lojërave të mira që i kemi bërë në miqësore. E morëm një pikë shumë të mirë, por kemi mundur të fitojmë tri. Kemi një situatë të mirë, kemi një kolektiv të lidhur mirë dhe me ardhjen e pjesës tjetër të lojtarëve, si Arbër Zeneli, Loret Sadiku, Besart Berisha, Elbasan Rashani, rritet konkurrenca edhe më shumë.
Të gjithë lojtarët janë që mund të aktivizohen direkt në lojë. Por kjo duhet të trajtohet në mënyrë profesionale”, ka thënë Bunjaki, që ka porositur të gjithë që ta ndalin festën dhe t’i qasen me seriozitet punës për dy ndeshjet e radhës.
“Festa për ne dhe lojtarët ka mbaruar pas ndeshjes, duhet të vazhdojmë punën tonë, të cilën e kemi nisur kohë më parë. Ka qenë një test i mirë për ne ndeshja me Finlandën, por tani kemi të bëjmë me ekipe më të forta edhe pse Finlanda nuk është një kundërshtar që duhet nënvlerësuar.
Disa ekipe kundërshtare na përshtaten shumë mirë. Kroacia është shumë më kualitative. Lojën të cilën e bëjnë kroatët, ne po mundohemi t’i ngjajmë asaj. Loja jonë është shumë premtuese. Krijojmë aksione të shpejta.
Kemi të bëjmë me një grup të lojtarëve që janë kreativë e që është vështirë të ndalen. Por ne duhet të dimë t’i vlerësojmë situatat, pasi ndeshja nga ndeshja dallon e po ashtu edhe kundërshtari nga kundërshtari”, u shpreh Bunjaki.
Ujkani: Debutimi me Kosovën, emocion i madh
Pika e parë në ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Një pjesë e madhe e titullarëve të përfaqësueses më të re të kontinentit janë pjesë e skuadrave të njohura në kampionatet e huaja dhe njëri prej tyre është portieri dhe kapiteni Samir Ujkani. Me një C.V të pasur në disa klube italiane, Ujkani rrëfen për mediat e vendit fqinjë emocionin e debutimit në arenën e futbllit europian.
“Një javë më parë nuk plotësonim as numrin e lojtarëve. Leja ime nga FIFA erdhi në orën 15:30 dhe vetëm pak orë më pas duhej të zbrisja në fushë”, rrëfen Ujkani për portalin italian Gianluca DiMarzio.com. Menjëherë pas ndeshjes, ai u kthye në Romë për t’u bashkuar me skuadrën e Pisa-s, por lodhja është e madhe dhe ditët e ardhshme ai duhet të rikuperojë energjitë për ndeshjen e fundjavës.
“Prej 5 ditësh nuk kam vënë gjumë në sy për shkak të stresit që më shkaktoi pritja. Pyetjen nëse do të luaja ma bënin gazetarët në çdo moment. Tashmë realizova një ëndërr, sepse 10 vjet më parë një gjë e tillë as që më shkonte nëpër mend. Tashmë gjithçka është bërë realitet”. Telefoni i 28-vjeçarit të lindur në Vushtrri nuk pushon asnjë moment, pasi mesazhet e urimit vijnë njëri pas tjetrit.
“Ende pa filluar ndeshja kanë nisur të më dërgojnë shumë mesazhe. Jemi të gjithë krenarë që arritëm të marrim një pikë në ndeshjen e parë”, shton gardiani i Kosovës, i cili e përfundon rrëfimin e tij duke theksuar se fanellën e ndeshjes së parë të Kosovës do ta ruajë në muzeun e kujtimeve të tij personale.