Trajneri i kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez, planifikon që të kthejë në radhët e kësaj përfaqësueseje Adnan Januzajn. Futbollisti 22-vjeçar vazhdon të mos shprehet publikisht rreth të ardhmes së tij, nëse do të luajë me Kosovën apo jo. Por mesa duket, në Belgjikë nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtësisht nga ai.
Martinez ka pranuar se po ndjek me vëmendje futbollistin dhe pas ndeshjeve të tij të fundit me Sandërlend, ka krijuar besimin se ai do të jetë shumë i vlefshëm edhe për “Djajtë e kuq”.
“Ai ka shumë talent. Ai është lloji i lojtarit që mund të bëjë diferencën. Në kombëtare, ne nuk kemi asnjë fantazist që luan me të majtën. Unë kam shpresa të mëdha për të, pasi ne nuk kemi shumë futbollistë që luajnë me të majtën, të cilët mund të aktivizohen edhe në krahun e djathtë. Duke marrë parasysh stilin tonë të lojës, Januzaj mund të jetë shumë i rëndësishëm në këtë rol në kombëtare. Ai mund të sjellë ekuilibër në lojën tonë”, tha Martinez.
Januzaj ka filluar të luajë rregullisht me Sandërlendin dhe në ndeshjen e fundit që kjo skuadër fitoi me rezultatin 4-0, ai dha dy asist. “Trajneri i ka dhënë më shumë liri pas sulmuesit. Në këtë rol ai prek më shumë topin dhe ne e dimë që mund të jetë kirurgjikal në situata të tilla.
Ai ka një talent thuajse të pashoq, por në këtë etapë të karrierës, duhet të luajë rregullisht. Në fillim të sezonit, ai e kishte të vështirë të tregonte nivelin e tij, por tani që ka 3-4 ndeshje të luajtura në këmbë, e shohim që mund të ketë një impakt të madh në lojën e skuadrës”, tha Martinez, i cili pranoi se po merrte në konsideratë idenë e grumbullimit të Adnan Januzajt në mars.