“Kosova është Serbi”, në librin shkollor/ Ministrja e Ramës pranon skandalin, ja si justifikohet…

Në librin e “Qytetarisë” së klasës së tetë të shkollës 9-vjeçare në Shqipëri, është një hartë e Europës, në të cilën Kosova është pjesë e Serbisë dhe jo një shtet i pavarur. Kjo u zbulua në media një ditë më parë, duke sjellë reagime të shumta, ndërsa këtë të premte, lidhur me çështjen, u shpreh edhe ministrja e Arsimit.

Besa Shahini pranon gabimin, që u etiketua si skandal, por shton se është “i paqëllimshëm”.

“Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 22 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të”, shkruan ministrja në një postim në rrjetet sociale.

“Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të reja. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”, shton.

Tre ditë më parë, edhe kryeministri Edi Rama bëri të njëjtën gafë. Rama publikoi në një postim në FB hartën e investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë në zonat rurale të vendit nga veriu në jug. Por, ajo që ra në sy është se në hartën e publikuar, Republika e Kosovës figuronte brenda territorit të Serbisë. Për ketë, në komentet poshtë postimit pati shume reagime nga qytetarët të cilët e kanë quajtur Ramën “mikun e Vuçiçit”, Presidentit të Serbisë.

Por, disa orë më vonë, kryeministri Rama e “zhduku” dhe publikoi një tjetër material, ku duket vetëm kufiri i Shqipërisë dhe jo kufijtë e vendeve të tjera të Ballkanit.

Screenshot 6 35

Exit mobile version