Në Kosovë të shtunën u shënua njëmbëdhjetë vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit të parë të vendit, Ibrahim Rugova.
Udhëheqësit politik dhe institucional të Kosovës nderuan figurën e presidentit të ndjerë duke kujtuar njëherësh kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës. Ata bënë homazhe tek varri i presidentit Rugova, ndërsa gjatë ditës është mbajtur edhe akademi përkujtimore për të vlerësuar rolin e tij në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Udhëheqës institucionesh e partish politike e cilësuan zotin Rugova si një nga figurat më të rëndësishme shqiptare të fundshekullit njëzet.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, më 21 janar të vitit 2006, presidenti Ibrahim Rugova, ndërroi jetë, pas një beteje me kancerin në mushkëri. I doktoruar në fushën e letërsisë, dr. Ibrahim Rugova, ishte presidenti i parë i Kosovës dhe udhëheqësi 16 vjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.