Kosova, më e egër në luftën kundër terrorizmit

Duke qenë se Kosova është pjesë e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, në këtë frymë ajo po vazhdon që të konsolidojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe të arrijë marrëveshje me këto vende partnere, në funksion të kësaj lufte, vlerësojnë zyrtarët e qeverisë së Kosovës.
Valdet Hoxha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se asnjë shtet, përfshirë edhe Kosovën, nuk mund të jetë imun ndaj ndonjë akti terrorist eventual.
Nisur nga kjo, sipas tij, mekanizmat e sigurisë në Kosovë nuk e injorojnë asnjë informatë apo analizë të opinionistëve, të analistëve të sigurisë, si dhe të mekanizmave të sigurisë të partnerëve ndërkombëtarë, me të cilët shkëmbehen informatat. Siç thotë zëvendësministri Hoxha, ky fakt ka sjellë edhe rezultate.
“Ne vlerësojmë gjendjen e sigurisë në nivel të kënaqshëm dhe nën kontroll, por gjithmonë jemi në nivel të detyrës, për t’u përgatitur, në radhë të parë për parandalim, por edhe në raste të caktuara për veprime të natyrave të ndryshme”.
“Një gjë të tillë e ka dëshmuar Policia e Republikës së Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke parandaluar një seri sulmesh, të cilat janë llogaritur që mund të ndodhin gjatë lojës së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit”, ka thënë Hoxha.
Policia e Kosovës, prej datës 4 nëntor deri më 16 nëntor, ka arrestuar 19 persona të dyshuar, të cilët siç thuhet, në koordinim me Lavdrim Muhaxherin, që gjendet në Siri përkrah të ashtuquajturit Shteti Islamik, kishin planifikuar realizimin e akteve terroriste.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet në vazhdimësi ta forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal nën luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Sipas tij, trendi global i njerëzve që i bashkohen organizatave terroriste në Siri dhe Irak është në rënie. Kjo, sipas tij, ka reflektuar në Kosovë dhe në rajon. Por, siç thotë ai, mbetet të shihet nëse strategjia e organizatave të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm, në të ardhmen, do të jetë që të shpërndajnë të rekrutuarit e tyre për të vepruar, jashtë territoreve të Sirisë dhe Irakut, në vendet ku ata aktualisht janë ose në vendet e origjinës. Megjithatë, sipas tij, për një gjë të tillë, ka indikacione.
“Por, këto mbeten indikacione. Edhe rasti i fundit i arrestimeve që ka ndodhur në Kosovë dhe Shqipëri, në një operacion të madh, të përbashkët edhe me shtetet e tjera, dëshmon se një strategji e tillë edhe mund të jetë në periudhën e ardhshme”, thotë Ramadani.
Zëvendësministri Hoxha thotë se autoritetet e Kosovës tashmë kanë forcuar mekanizmat e sigurisë dhe angazhimin e tyre për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar që shpie në terrorizëm.
“Natyrisht që ngjarjet e fundit, dinamika është shpejtuar në zhvillimet në Lindjen e Mesme. Kjo natyrisht që ka ndikuar edhe në mekanizmat e sigurisë të Republikës së Kosovës, në kuptim të ngritjes së kapaciteteve, në radhë të parë brenda mekanizmave të sigurisë tek ne, por edhe në ndërtimin e urave të komunikimit me mekanizmat e vendeve tjera, sepse kjo dukuri nuk fal. Kjo mund të jetë filli i organizimit në një shtet, ndërkaq akti mund të organizohet në shtetin tjetër”, thotë Hoxha.
Përballja me ideologjitë ekstremiste që çojnë në terrorizëm, sipas profesor Ramadanit, përveç rritjes së kapaciteteve në mekanizmat e sigurisë, kërkon edhe qasje gjithpërfshirëse. Siç thotë ai, të gjitha mekanizmat dhe të gjitha kategoritë në shoqëri, kanë rol në këtë përballje.
“Institucionet e sigurisë së Kosovës, sikurse edhe niveli diplomatik, duhet vazhdimisht që ta forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal. Unë jam i vetëdijshëm se bashkëpunimi rajonal edhe më tutje vazhdon të ketë pengesa, kryesisht për shkak të rolit jo kush e di sa pozitiv të Serbisë edhe në këtë çështje. Por, roli i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar është i patjetërsueshëm”, thotë ai.
Javën e kaluar, zyra e kryeministrit të qeverisë së Kosovës, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Exit mobile version