Banorët e Kosovës kërcënohen nga mjedisi i ndotur jetësor, i cili po ndikon në rritjen e numrit të të sëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjet e tjera respiratore e madje edhe shkakton vdekjen e njerëzve. Kështu thonë ekspertë të çështjeve të ruajtjes së ambientit.
Për kah degradimi i mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, flasin për rreziqet e mëdha që vijnë nga ndotja e ambientit.
Agron Bektashi nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova është duke u përballuar me ndotje të madhe të ajrit, ujërave dhe tokave.