Kosova mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit

Nga Erl KODRA

–Një ide se si mund të arrihet Paqja me Serbinë–

Sipas historianit Reinhard Luthin (26 Janar 1905 – 24 Nëntor 1962) demagogu është “një politikan i aftë në oratori dhe lajka injektuese; evaziv në diskutimin e çështjeve jetësore; premtimin e gjithçkaje për të gjithë; shumë më tërheqës për pasionet sesa për arsyen e publikut; paragjykimet racore, fetare dhe klasore; – një njeri, epshi i të cilit për pushtet pa rekurs në parim, e bën atë mjeshtër të masave. Demagogu me shekuj ka praktikuar profesionin si “njeri i popullit’. Ai është një produkt i një tradite politike të vjetër sa vetë civilizimi perëndimor”.

Këto ditë kam shkruar disa tekste për zhvillimet në Kosovë, që në të vertetë janë alarmante. Fati i Kosovës ngërthen dhe përcakton në përgjithësi fatin e gjithë shqiptarëve në Ballkan, por para së gjithash, është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm në realizimin e aspiratave kombëtare. Politika e shtetit të ri të Kosovës, për arsye të kuptueshme nuk ka arritur të përmbushë disa objektiva kombëtar; dhe pa realizimin e tyre, nuk mund të flitet as për demokraci, as për shtet ligjor. Ky përcaktim vlen edhe për Shqipërinë, sepse me gjasë, një ndër arsyet kryesore pse Enver Hoxha mbretëroi kaq gjatë në këtë anë të kufirit, ishte Kosova.

Shumë njerëz nuk i kanë pëlqyer shkrimet e mia, madje ka patur nga ata që kanë shfaqur habi të madhe se si mund të shprehem kundër Albin Kurtit, njeriut që po lufton në disa fronte njëkohësisht, kundër krimit dhe korrupsionit, kundër Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Isa Mustafës, Fatmir Limajt dhe Kadri Veselit? Veçanarisht interesante ka qenë qasja e një pjese, që çuditërisht i pranojnë gabimet e Albin Kurtit, por njëkohësisht thonë se ai “është i vetmi dhe i duhuri”.
“I vetmi dhe i duhuri” për çfarë?! Që të vazhdojë të gabojë, duke i shkaktuar Kosovës dhe interesave shqiptare dëme të pariparueshme, të një natyre të pakthyeshme?

Përgjatë këtyre viteve Kosova ka patur qeverisje jo të mirë, por të pranueshme në terma të përgjithshme, duke marrë në konsideratë gjendjen prej nga doli vendi në vitin 1999. Të ndërtosh një demokraci perëndimore në një vend të sapodalë nga lufta, ku është kryer gjenocid i pastër etnik, dhe të përballosh njëkohësisht sfida të jashtëzakonshme, me armiq të tillë si Serbia, Rusia dhe Kina, nuk është e lehtë. Shqiptarët e Kosovës ia dolën të ndërtojnë një shtet demokratik të pranueshëm, vetëm falë mbështetjes së pazëvëndësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova ka shumë probleme funksionale si shtet i pavarur dhe demokraci në zhvillim. Gjithashtu ajo ka probleme të mëdha korrupsioni dhe nepotizmi. Megjithatë, krahasuar me vende të tjera si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, problemet e saj në këto fusha as që mund të krahasohen. Imagjinoni pak ju lutem Edi Ramën e Shqipërisë; drogën, PPP-të dhe oligarkët, zgjedhjet “demokratike”, Reformën në Drejtësi. Merreni me mend se çka është Shqipëria e mbi 100 viteve shtet, dhe çfarë është Kosova e 11 viteve shtet i pavarur!

Mjedisi ku po zhvillohet politika aktuale e Albin Kurtit është idealja; një President i komprementuar si Hashim Thaçi, që për shkaqe dhe arsye të kuptueshme është i gatshëm të bëj kompromiset e “nevojshme”, por edhe një klasë politike e akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm. Dhe të mendosh se Albin Kurti i drejtohet “masës së madhe të popullit të varfër”, të vjedhur dhe të “tradhëtuar” nga komandantët, afërmendsh që kjo lloj retorike do të ngjisë fort. Lista e dëshirave është ëndrra e çdo populli të vuajtur, prandaj, nuk është e vështirë të marrësh meritat e “heroit të popullit” në një mjedis të tillë.

Albin Kurti nuk e ka patur asnjëherë si qëllim të parë shkëputjen e plotë nga Serbia, por si përherë e ka përdorë të gjithçka rreth zhvillimeve Kosovë – Serbi për luftë personale politike. Ai flet për “tradhëti kombëtare” të komandantëve, ai ishte kundër planit të Presidentit Martti Ahtisaari, ai ishte kundër Rambujesë, ai ishte kundër dhe mosbesues se Kosova do të jetë e pavarur kur Presidenti Bush e shpalli pavarësinë e saj në Tiranë. Sigurisht, përgjatë këtyre viteve ai ka mbajtur edhe shumë qëndrime të drejta.

Megjithatë, bilanci i luftës politike të Albin Kurtit është i tmerrshëm për Kosovën, sepse, si askush tjetër ia doli të përçajë popullin e saj, të ushqejë një frymë anti-amerikane në mesin e rinisë kosovare, dhe mbi të gjitha, të rrezikojë seriozisht mbështetjen e pazëvëndësueshme të Shteteve të Bashkuara. Është tronditëse se si mund të vihen në pikëpyetje themele të tilla, dhe askush nga mendjet e ndritura të mos flasë dhe të shkruaj.

Po si është e mundur që këta mendje – ndritur të mos dallojnë rrezikun që mbartin në vetvete zhvillime të tilla, jo të rrezikshme për ekonominë, jo të rrezikshme për demokracinë, por të rrezikshme për sigurinë tonë, sidomos në raport me armikun tonë të përjetshëm?
Në të vërtetë, është vetëm një pakicë e vogël që i kupton të gjitha hilet. Shumica dëgjojnë thagmat e kësaj pakice. Poshtërsia e tyre qëndron në faktin se, në vend që të ndriçojnë mendjet e njerëzisë, ata ose heshtin, ose bëhen pjesë e hileve.

Një ndër sukseset më të mëdha të Albin Kurtit, mbetet fakti se ia ka dalë të mashtrojë bukur edhe njerëz të ditur në Kosovë dhe Shqipëri. Për fat të keq, viktimat e tij më të mëdha janë njerëz me integritet. Fatkeqësi e madhe!

***
Interesat tona kombëtare janë në rrezik serioz. Si asnjëherë më parë, Serbia gjendet në avantazh diplomatik, politik, ekonomik dhe ushtarak krahasuar me ne. Përgjatë kombinimit të pafat i rrethanave (historike) që po kalon bota, duket se Kosova nuk është më një “problem i madh” për politikën e madhe, dhe me gjasë, ajo mund të përdoret si një monedhë shkëmbimi në gjeopolitikën botërore.

Presidenca e SHBA-ve e Donald Trump ngjanë jo fort dashamirëse me politikën kosovare, ndërsa Shqipëria zyrtare, jo vetëm nuk po luan rolin që i takon, por përkundrazi, është vënë në shërbim të axhendave të dyshimita, të interesave po të dyshimta.

Këtu duhet bërë një parantezë; Shqipëria është një vend i vogël, por tepër i rëndësishëm për interesat e shqiptarëve. Në të vërtetë, ajo mund të jetë mbrojtësja e vetme e interesave më të mira. Besojeni ose jo, por pozicionimi i qartë i Shqipërisë kundër çdo ideje për shkëmbim territoresh, do të ishte vija e kuqe, e pakalueshme për çdo diplomat perëndimor. Sigurisht që Edi Rama është shumë komik si lider global, ose edhe rajonal, ai është qesharak edhe si burri i Linda Ramës, por, në një botë ideale, do të mjaftonte një dekleratë thjeshtë, e qartë dhe pa ekuivoke se;

“Shqipëria nuk pranon ndarjen, shkëmbimin ose korrigjimin e kufinjëve aktual të Kosovës. Shqipëria e konsideron prekjen e këtyre kufinjëve si agresion të hapur kundër interesave kombëtare”.

Kjo dekleratë e munguar e Shqipërisë, në të vërtetë po e mban në pushtet Edi Ramën, ndërsa në Kosovë po shkëlqen Albin Kurti, demagogu më shkëlqimtar i historisë poltike, pas terroristit Enver Hoxha.

***
Çfarë mund të jetë zgjidhja dhe shpëtimi i çeshtjes shqiptare?
Së pari, politika kosovare duhet të bjerë dakort, se Tema No 1 është Marrëveshja me Serbinë. Asgjë në botë, as kurrupsioni, nepotizmi ose krimet e pretenduara nuk kanë rëndësinë e kësaj teme. Ata duhet të përcaktojnë qartë pozicionin shqiptar për të gjitha temat e hapura me Serbinë, pozicion nga i cili ata nuk do të lëvizin.

Së dyti, unë do të mendoja seriozisht mundësinë organizimit të një Kuvendi Kombëtar, ose një Konference, le të quhet si të jetë më mirë, me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve politik, Akademive të Shkencave, Shoqërisë Civile, shkrimtarëve dhe gazetarëve; le të jetë njëlloj “Lidhje e Re” Prizreni, ku të definohen përfundimisht termat dhe kushtet e Marrëveshjes Kosovë – Serbi. Kjo Konference do të përcaktojë njëherë e mirë rrugën tonë për paqen me fqinjën dhe armiken tonë të përjetshme.

Së treti, kjo Konferencë mund të përcaktojë një përfaqësi të zgjedhur, e cila do të kishte mandat këshillues përgjatë zhvillimeve të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Paqja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë ngjarja më e madhe në Historinë tonë Kombëtare. Kjo paqe nuk është e lehtë, prandaj në asnjë rrethanë nuk mund të jetë produkt i asnjë Presidenti, Kryeministri ose Kuvendi, por të gjithë faktorëve shqiptarë, të gjitha viseve shqiptare, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe diasporën e pesë kontinenteve.

Shtete të tjera, që dinë çfarë bëjnë, nevojën për bashkëpunim e zgjidhin ndryshe dhe pa shumë bujë, por meqense ne jemi qenie që vuajmë kaq shumë për pak patriotizëm folklorik, le të mblidhemi edhe njëherë në Prizren. Kështu, edhe Hashim Thaçit mund t’ia lëmë kënaqësinë e firmosjes së Marrëveshjes me Serbinë, pa frikë.

Exit mobile version