Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë u ka ndaluar zyrtarëve të qeverisë në Beograd që të marrin pjesë në fushatën e partive serbe të Kosovës dhe të mbështesin ndonjërën prej tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme më gjashtë tetor.
Sipas këshilltarit të ministrit të jashtëm të Kosovës në detyrë, Jetlir Zyberaj, “zgjedhjet e 6 tetorit janë zgjedhje të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj dhe vendimi i Kosovës është marrë pas kërcënimeve që po i bëhen komunitetit serb në Kosovë nga ana e Beogradit zyrtar”.
“Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës. E as nuk do të tolerohen kërcënimet kundër komunitetit serb të Kosovës nga Beogradi. Beogradi e di realitetin në Kosovë dhe konform kësaj duhet të sillet, duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thotë Jetlir Zyberaj.
Ndalesa e autoriteteve kosovare për t’u lejuar hyrjen në Kosovë zyrtarëve të Serbisë që të marrin pjesë në fushatën zgjedhore, nxiti menjëherë reagimin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ku në mesin e zyrtarëve serb që nuk u lejohet të hyjnë në Kosovës është zëvendës drejtori i kësaj zyre, Damjan Joviqit.
Ky i fundit kishte planifikuar të marrë pjesë në një tubim në Kosovë të listës “Srpska”, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në reagimin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka nxjerrë një ndalim që nuk mund të justifikohet me asnjë ligj apo marrëveshje në Bruksel që t’ua parandalojë përfaqësuesve të qeverisë serbe të mbështesin popullin serb të Kosovës.
Është shqetësuese heshtja e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, të cilët në heshtje vëzhgojnë përshkallëzimin e dhunës politike kundër popullit serb. Kjo është mjaft shqetësuese”, është thënë në reagimin e kësaj zyre.
Për këtë ndalesë të qeverisë së Kosovës është pyetur edhe Brukseli zyrtar, që për vite me radhë ka qenë ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi dhe ku njëra nga marrëveshjet e arritura është edhe liria e lëvizjes.
Maja Kocijanciq, zëdhënëse e BE-së, ka thënë për mediet në Prishtinë se “palët duhet të sillen në linjë me marrëveshjet e arritura në Bruksel, por edhe në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës”. Sipas saj, marrëveshja e dialogut e ndërmjetësuar nga BE-ja për vizitat zyrtare përcakton modalitetet dhe zyrtarët duhet t’i nënshtrohen një procedure njoftimi.
“Të gjithë zyrtarët e tjerë nga Kosova ose Serbia që nuk i nënshtrohen një procedure njoftimi kanë të drejtë të përfitojnë nga dispozitat për lirinë e lëvizjes. Ne presim që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE të respektohen dhe zbatohen, gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore.
Por, kur këto vizita lidhen me zgjedhjet në kohë fushate, atëherë secili duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës”, ka thënë Kocijanciq.
“Të gjithë ata që janë pjesë e fushatës për këto zgjedhje në Kosovë, pritet nga ta që të veprojnë në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë Kocijançiq.
Autoritetet e Kosovës edhe më herët në disa raste u kanë ndaluar hyrjen në Kosovë zyrtarëve të lartë të qeverisë së Serbisë, për shkak të fushatës së tyre kundër njohjes së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Muaj më parë qeveria e Kosovës pati shpallur persona “non grata” dhjetra personalitete të Serbisë, që nuk mund të hynin në territorin e Kosovës. Në listë ndër të tjerë u përfshinë politikani serb Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata e Hagës. Ljubisha Divkoviq, ish-gjeneral i armatës serbe si dhe ministri i Brendshëm dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandër Vulin.