Kosova në krizë parlamentare, BE-ja kërkon formimin e Qeverisë së re

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka bërë thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, duke theksuar nevojën për një partner qeveritar me të cilin BE-ja të mund të bashkëpunojë për proceset integruese.

“Bashkimi Evropian ka nevojë për një partner të qëndrueshëm në qeveri për të punuar dhe diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës,” u shpreh Orav gjatë një tryeze diskutimi të organizuar të mërkurën nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL, me fokus në integrimin e Kosovës në BE.

Orav theksoi se procesi i heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka filluar dhe kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin me autoritetet vendore. Ai shtoi se angazhimi i ndërsjellë është i domosdoshëm për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.

Megjithatë, ambasadori i BE-së në Kosovë rikujtoi se një nga çështjet kyçe që mbetet për t’u adresuar është themeli i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e konsideroi si pjesë të obligimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e Brukselit.

“Është e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të zbatohen pa vonesa”, u shpreh ai.

Artikulli paraprakBerisha vijon “non grata”, SHBA mbështesin Shqipërinë/ Lapardhaja: Në 2021 Lulzim Basha u urua me emër
Artikulli tjetërKur dhe si kalbet pushteti?