Kosova nis protesta kundër Thaçit, thirrja e Albin Kurtit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbajtur sot një konferencë për media, përmes së cilës ka ftuar të gjithë qytetarët, anëtarët e partive politike dhe organizatat që të marrin pjesë në protestën të cilën do ta organizojë Vetëvendosja me datën 29 shtator. Ai ka thënë se kjo protestë po organizohet për ta mbrojtur Kosovën nga Presidenti Thaçi dhe se një popull nuk i nënshtrohet një njeriu.
Kurti në konferencën e sotme për shtyp ka theksuar edhe një herë qëndrimin e partisë së tij ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, duke thënë se situata në vend është e rëndë dhe se Thaçi duhet ndalur, pasi ai nuk ka mandat për bisedime me Serbinë dhe se duhet ndalur kjo aventurë personale e tij, siç e ka quajtur Kurti.
“Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e Presidentit Hashim Thaci për dialog me homologun e tij presidentin serb, pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithëpërfshirës. Kjo aventurë personale e Presidentit të Kosovës duhet ndalur. Ky president nuk ka as legjitimitet, as kompetencë e as kredibilitet”, është shprehur Kurti.
Po ashtu, Kurti ka folur edhe për zgjedhje të reja, pasi sipas tij, situata socio-ekonomike në Kosovë është në gjendje të rëndë, për shkak të mungesës së progresit dhe keq qeverisjes nga Kryeministri Ramush Haradinaj.
“Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mungesës së zhvillimit dhe progresit, dhe teprisë së keq qeverisjes e korrupsionit nga skandalet e shpeshta të Kryeministrit dhe kabinetit enorm të tij, na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare”, ka theksuar Kurti.
Për gjithë këto zhvillime të fundit në vendin tonë, Kurti ka thirrur protestë me datën 29 shtator në sheshin e Prishtinës, duke thënë se sheshi është institucion në Republike, prandaj qytetarët duhet ta shprehin pakënaqësinë e tyre duke dalë në shesh dhe duke protestuar në mënyre paqësore.

Exit mobile version