Kosova nis protestat kundër Thaçit nga e diela

Grupi i shoqërisë civile “Protestoj” kanë paralajmëruar për më 5 shtator protestë kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe Qeverisë.
Në një reagim të tyre ndaj Presidentit Thaçi, i cili sot përsëri i ftoi shoqërinë civile që të bëhen pjesë e dialogut, “Protestoj” ia kanë bërë me dije kreut të shtetit se janë në vijë të kundër me të.
“Ne nuk jemi në një vijë me ty, ne jemi në vijë të kundërt përballë teje. Ne e trajtojmë seriozisht vendin tonë, ti bën shaka me temat serioze. Ne angazhohemi e rrezikojmë duke sakrifikuar, ti bezdisesh në salltanet dhe zhgarravit gjithë ditën në Facebook. Ne duam që vendi ynë të jetë i sigurt, ti e vë si monedhë kusuri për ta shpëtuar veten”, thuhet në reagimin e tyre.
“Protestat do të vazhdojnë më 5 shtator, në vijë të kundërt me Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Presidentin. Bashkohuni!”, bëhet thirrje në fund të reagimit të “Protestoj”.
Ndryshe, ky grup i shoqërisë civile së fundi kanë organizuar në Prishtinë dy protesta kundër Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe kanë bërë thirrje për Vetting në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, as pas dy takimeve të së enjtes me krerët e koalicionit qeverisës, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe zyrtarët të tjerë qeveritarë, nuk ka arritur t’i bindë ata që korrigjimi i kufijve duhet të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë. Thaçi nuk ka hequr dorë nga kjo ide, derisa opozita paralajmëron protesta. Përveç VV-së dhe deputetët Vjosa Osmani dhe Ilir Deda, të dy nga grupi parlamentar i LDK-së kanë bërë thirrje për organizimin e tyre.
Pak ditë para takimit të radhës me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka takuar krerët institucionalë të Kosovës për të diskutuar rreth idesë së korrigjimit të kufijve.

Të enjten Thaçi ka pritur në takim të përbashkët kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe tre zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.
Mirëpo, as këtë herë kreu i shtetit nuk ka arritur të marrë mbështetjen e partnerëve të koalicionit lidhur me këtë çështje.
Me të përfunduar takimi i parë në mes të liderëve shtetërorë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se së bashku me presidentin Thaçi kanë biseduar lidhur me takimet në Bruksel.
“Ajo çfarë ka rëndësi është se presidenti është shprehur qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës”, ka thënë Haradinaj pas këtij takimi.
Nga ana tjetër, Partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar fillimin e protestave gjatë javës së ardhshme në Prishtinë, siç kanë thënë ata, për ta kundërshtuar iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë, shkruan sot “Zëri”.
Për më tepër, edhe deputetja më e votuar në vend nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka ftuar organizimin e një proteste më 7 shtator të këtij viti, në ditën kur në Bruksel do të takohen presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, ndonëse zyrtarë të partisë së saj kanë mohuar që do të bëhen pjesë e protestave të Vetëvendosjes.
Edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka paralajmëruar protesta masive pas datës 4 shtator.
“Kosova duhet të jetë më e fortë me çdo kusht për mposhtjen e shtetshkatërruesit. Vija e kuqe Thaçit i vendoset së pari në Kuvend më 4 shtator e mandej edhe në protesta masive qytetare”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “Facebook”.
Megjithatë, protesta e opozitës nuk do të organizohet para të martës që vjen, kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e ku pritet të miratohet një rezolutë, në të cilën do të shprehet qëndrimi i përfaqësuesve të popullit kundër “korrigjimit të kufijve” me Serbinë.

Artikulli paraprakBasha: Po qëllohen me armë gazetarë dhe biznesmenë
Artikulli tjetërPërplasje e fortë Haradinaj-Thaçi