Kosova, një hap para drejt heqjes së vizave

Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pas votimit në komitetin LIBE, tha se ka marrë mbështetjen për raportin dhe rekomandimet e saj për lëvizjen e lirë për Kosovën, por “nuk ka marrë një mandat për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e vizave për Kosovën”. Tanja Fajon shprehi kënaqësinë që “ka marrë një votë më shumë për raportin e saj, por tha se tani varet nga Kosova kur do të përmbushë kriteret e përcaktuara për t’i hapur mundësinë që ta fus në votim në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i tha Radios Evropa e Lirë se ka përpjekje të grupeve të caktuara politike, kryesisht të Partisë Popullore Evropiane, që të shtyjnë procesin e votimit në komitetin LIBE për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, të paraparë për të hënën pasdite, vonë. Ajo tha se shpreson se votimi për raportin për Gjeorgjinë dhe Kosovën “do të ndodh” dhe se “Kosova do të marrë një porosi të fuqishme”. Nuk e di se cilat janë procedurat por ka përpjekje të grupeve të caktuara politike të EPP-së (European People’s Party) për të kërkuar shtyrjen”, tha Fajon duke shtuar se me votimin “do t’i përçohej një porosi e fuqishme Kosovës, sot, se ne jemi mbështetës por dy kriteret e mbetura duhet të përmbushen përpara se të shkojmë në seancë plenare”, tha raportuesja e posaçme për liberalizimin e vizave për Kosovën.
-Na thoni se çfarë ndodhi në Komitetin LIBE. Ju morët shumicën e votave për raportin por jo edhe për fillimin e negociatave. Çka do të ndodh tani?
“Tani çdo gjë është në duart e Kosovës. LIBE i dha një mbështetje me shumicën e votave raportit tim, rekomandimeve të mia, për lëvizjen pa viza të Kosovës. Kjo tani do të thotë se unë do të vendos kur ta paraqes para seancës pleanare. Duke parë një situatë si kjo në LIBE, ku shumica e kolegëve shprehën shqetësimet për përmbushjen e dy standardeve të mbetura, ajo për demarkacionin e kufirit dhe thellimi i luftës kundër korrupsionit, dhe prandaj standardet duhet të plotësohen përpara se ta dërgojë për votim në seancë plenare. Unë sot nuk mora mandatin që të diskutojë më Këshillin, por Këshilli deri tani nuk e ka marrë një qëndrim. Kjo nuk do të thotë asnjë gjë për çështjet procedurale në Parlament, sepse LIBE me dha mbështetjen e plotë dhe unë kam përkrahjen që të mos kthehem në LIBE. Hapi tjetër është seanca plenare e Parlamentit Evropian. Por para kësaj Kosova duhet të përmbushë dy kushtet e mbetura”.
-Të jemi të qartë, nuk ka më nevojë për kthim në LIBE përr të marrë mandatin për kornizën negociatore?
LIBE më dha mbështetjen me një votë më shumë, Nuk është mbështetja më e madhe, por jam e kënaqur se morëm këtë mbështetje, sepse në orët e fundit situata ishte shume e tensionuar. Ne nuk do të diskutojmë më për raportin për Kosovën ne LIBE. Unë kam mandatin që të vazhdojë, por do të shoh se kur do ta vendos në seancë plenare sepse tani është vërtetë në duart e Kosovës.

Qeveria nuk e di se kur do ta rikthejë për votim demarkacionin

Ende nuk dihet se kur Qeveria e Kosovës, do ta rikthejë sërish në për votim në Kuvendin e Kosovës projektligjin për demarkacionin e kufirit me Malin e ZI. Faton Abdullahu, këshilltari për media i kryeministrit të Kosovës, ka thënë për Indeksonline se ende nuk është paraparë ndonjë afat kohor për kthimin e këtij projektligji, por sipas tij së pari do të harmonizohen qëndrimet e palëve të koalicionit si dhe do të bisedohet me subjektet tjera që të sqarohen paqartësitë dhe keqkuptimet sa i përket përmbajtjes së këtij projektligji. “Në këtë fazë nuk mund ta përcaktojmë saktë me ditë se kur do ta procedojmë demarkacionin në Kuvend, por do të punohet me të gjitha palët e koalicionit në drejtim që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur duke u munduar që më këtë rast t’i harmonizojmë përpjekjet në njërën anë të shtetndërtimit si proces dhe në anën tjetër ngritjes së kualitetit të jetesës, së qytetarëve duke mos e harruar se në këtë harmonizim duhet dhe të mos e ngadalësojmë procesin e integrimeve evropiane”, ka thënë Abdullahu për Indeksonline. Ai ka thënë se periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit e deri te procedimi, do ta shfrytëzojnë për sqarime dhe interpretime. “Periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i sërishëm në Kuvend do ta shfrytëzojmë pos tjerash edhe për të vazhduar tutje me sqarime interpretime të drejta për tu dhënë mundësi të gjithë subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt të informohen drejt gjithanshëm me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës”, ka thënë Abdullahu.

Vazhdon “beteja” për Demarkacionin

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi mund të rikthehet nga qeveria e Kosovës në Kuvend për votim. Javën e kaluar, në emër të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tërhoqi këtë projektligj nga shqyrtimi dhe votimi parlamentar për arsye të ndryshme. Ndër kryesoret ishin mungesa e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend, çka i pamundësonte koalicionit të siguronte 80 votat e nevojshme për ratifikim, si dhe kundërshtimet e ashpra të opozitës dhe kujdesi i treguar i kryeministrit për ruajtjen e gjendjes së sigurisë në vend. Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në Kosovë po shihet nga dy perspektiva. E para, ajo e koalicionit qeverisës, sipas së cilës, kjo është një marrëveshje të drejtë sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe është e domosdoshme për fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kurse nga perspektiva e opozitës, po shihet si marrëveshje jo e drejtë që i humb Kosovës një territor prej mbi 8 mijë hektarësh. Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dështimi eventual i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje do të hap shumë dilema, të cilat, sipas tij, nuk do të kenë përgjigje në Kosovë, por vetëm në Bruksel. Ratifikimi i Demarkacionit, sipas ministrit Çollakut, mbetet kushti i fundit për heqjen e vizave dhe i cili nuk mund të anashkalohet nga ana e institucioneve të Kosovës. “Në rastin tonë, përkundër përparimeve të mëdha që janë bërë, përkundër hapave ligjor që janë ndërmarrë nga ana e Komisionit Evropian dhe përkundër faktit që kjo çështje do të trajtohet edhe në Komisionin e Parlamentit Evropian për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza, përderisa ne nuk i përmbushim të gjitha obligimet e parapara”, ka thënë Çollaku.
Pas tërheqjes së Projektligjit për Demarkacionit, sipas procedurave ligjore, nënkuptohet se ky draft-ligj nuk ka qenë fare në shqyrtim në Kuvend, thotë analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi. Sipas tij, tani janë dy mundësi mbi bazën e të cilave qeveria mund ta ri-procedojë projektligjin e njëjtë për ratifikim në Kuvend. “Nëse Projektligji i njëjtë procedohet në Kuvend, ai fillimisht duhet të marr miratimin e qeverisë. Pastaj janë dy mënyra; të kërkohet miratimi në Kuvend me procedura të përshpejtuara, që për mendimin tim do të ishte gabim, ose përmes procedurave të rregullta parlamentare”.
“Projektligjet me të cilat bëhet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kalojnë vetëm me një lexim në Kuvend. Paraprakisht duhet që Kryesia e Kuvendit ta mandatojë Komisionin parlamentar për punë të jashtme që ta shqyrtojë atë dhe më pastaj, ky Komision t’i rekomandojë seancës plenare miratimin apo jo të tij”, ka theksuar Krasniqi. Për procedurat parlamentare dhe një demokraci të mirëfilltë, do të ishte mirë që Kuvendi të votojë për apo kundër marrëveshjes, thotë Krasniqi. Ndërkohë, sipas opozitës, ratifikimi i marrëveshjes aktuale për Demarkacionin është çështje e mbyllur dhe se për shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi duhet të ri-negociohet.
Dardan Sejdiu, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se kjo marrëveshje, pas tërheqjes nga Kuvendi, tashmë duhet të konsiderohet e dështuar. “Ajo që tashmë është e qartë, dy temat kryesore të kësaj qeverisje, “zajednica” (termi që Vetëvendosje përdorë për Asociacionin) dhe Demarkacioni i gabuar i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, tashmë janë të vdekura”, është shprehur Sejdiu. Në seancën e 1 shtatorit, kur kryeministri Isa Mustafa vendosi ta tërheqë këtë projektligj nga votimi në Kuvend, monitoruesit e punës së këtij institucioni besonin se koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ngase Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit, nuk mori pjesë në seancë. Tani mbetet të shihet se kur do ta ri-procedojë qeveria të njëjtin Projektligj në Kuvend dhe nëse paraprakisht do të ketë bisedime ndërmjet dy partive më të mëdha të koalicionit, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike me Listën Serbe, për të siguruar votat e nevojshme për ratifikim.

Exit mobile version