Kosova pa qeveri, përgatitet për zgjedhjet vendore

Deri në mesnatë, kur përfundoi edhe afati ligjor, 91 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal që do të mbahen më 22 tetor. Janë 35 parti politike, një koalicion, 30 nisma qytetare dhe 35 kandidatë të pavarur nga të gjitha komunitetet, që do të përballen në konkurrencën për të marrë pushtetin në 38 komuna të Kosovës. Regjistrimi i subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje ndodh në një periudhë kur vendi është në pritje të formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, që nuk i siguruan vota të mjaftueshme asnjë subjekti që të ishte në gjendje të themelojë vet institucionet e Kosovës.
Të enjten, Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij, një proces që është zvarritur për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme nga koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën. Përfaqësuesit e këtij koalicioni ishin shprehur të bindur që dita e enjte të zhbllokojë procesin, duke llogaritur në votat e Aleancës Kosova e Re e afaristit Behgjet Pacolli, i cili siç është thënë, është autorizuar nga partia e tij “të kërkojë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativës me të cilat kishte konkurruar në zgjedhje.
Kësisoj pritej që koalicioni fitues i cili ka 39 deputetë, bashkë me 20 deputetët e pakicave kombëtare, të sigurojë më shumë se 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit. Por, të mërkurëen, gjërat duket se janë ndërlikuar sërish. Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, tha se po vazhdojnë këshillimet partitë politike dhe se nuk ka një marrëveshje konkrete me Aleancën Kosova e Re rreth zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit dhe formimit të qeverisë së re.
“Jemi ende në përpjekje që nesër të jemi në seancë. Ekziston mundësia reale që edhe nesër të mos mund të fillojmë. Me këto shtyrje e fitojmë në një aspekt tjetër kohën për shkak se e bëjmë gati një nisje që do të jetë më gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme”, tha të mërkruën zoti Haradinaj. Sipas Kushtetutës ky koalicion ka të drejtën e propozimit të kandidatit për këtë post, por lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtojnë mundësinë që Parlamentin ta drejtojë kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli. Vëzhguesit thonë se procesi i përcaktimit të kandidatëve për pushtetin komunal që përfundoi në mesnatë, mund të ketë ushtruar ndikim në negociatat dhe marrëveshjet për ngritjen e institucioneve qendrore.

Exit mobile version