Kosova pezullon 21 OJQ të rrezikshme

Të paktën 21 organizatave jo qeveritare iu është pezulluar veprimtaria brenda vitit 2016, me vendim të autoriteteve të rendit në Kosovë për shkak të, siç thuhet, aktiviteteve të jashtëligjshme.
Një listë prej 13 organizatash që u pezulluan në vitin 2015, i është shtuar edhe numri prej 8 organizatave të tjera, një vit më vonë (2016), duke rritur numrin e OJQ-eve të përfshira në veprimtari të paligjshme.
Vendimi për pezullimin e aktiviteteve të këtyre organizatave, i marrë nga Ministria e Administratës Publike në Kosovë, është ripërsëritur vit pas viti që prej vitit 2014 me dyshimin “se kanë rënë ndesh me rendin kushtetues të Kosovës dhe kanë cenuar sigurinë e përgjithshme”.
Zyrtarët e Ministrisë së Administratës Publike thanë për Radion Evropa e Lirë, se pezullimi i veprimtarive të OJQ-eve të caktuara, u “bazua në kërkesën e organeve kompetente dhe ai është ripërsëritur”.
Bajram Kosumi drejtor i Departamentit për Organizatat Joqeveritare në Ministrinë e Administratës Publike, tha se, “janë gjithsej 21 organizata joqeveritare ndaj të cilave departamenti për OJQ ka marrë vendim për pezullim të veprimtarisë së tyre gjatë vitit të kaluar”.
“Organizatat për të cilat është marrë vendimi që t’u pezullohet puna janë kryesisht ndërkombëtare”, tha Kosumi.
Sipas listës së Ministrisë së Administratës Publike, organizatat joqeveritare të cilave u është hequr e drejta për të punuar në Kosovë, kanë shtrirë veprimtarinë në gjithë territorin e vendit.
Një pjesë e tyre kanë punuar në jug të Kosovës në qytetin e Prizrenit dhe një numër syresh të regjistruara në Prishtinë kanë shtrirë, thonë zyrtarë qeveritarë, aktivitetin në pjesën qendrore të vendit.
Veprimtaria e paligjshme në fushën mikrofinanciare, ndërkaq, i kushtoi me mbyllje, pak kohë më parë, njërës organizatë joqeveritare, thanë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.
Një zyrtar i BQK-së, Besnik Kada, i tha Radios Evropa e Lirë se “në vitin 2014 kanë hasur në një institucion të dyshimtë mikrofinanciar, të cilit i është ndaluar veprimtaria”.
“Në këtë drejtim, theksohet rasti i vendimit të BQK-së i datës 25 shtator 2014, ndaj IMF Kosova Aid and Development, të cilit i pezullohen të gjitha aktivitetet e lejuara me regjistrimin e datës 2 dhjetor 2015 të lëshuar nga BQK-ja me arsyetimin se:
“Më datë 17 shtator 2014 Ministria e Administratës Publike, Departamenti për Organizata Joqeveritare ka nxjerrë vendim përmes, të cilit ka pezulluar veprimtarinë e Organizatës Joqeveritare ‘Kosova Aid and Development’ pas kërkesës që i është bërë nga organet kompetente të sigurisë”, ka thënë Kada në një përgjigje përmes postës elektronike.

Exit mobile version