Mes Ramës dhe Babales, Kosova ka pranuar të vërtetën e Babales dhe jo atë të Ramës. Avokati i Albert Veliut në Kosovë, Tom Gashi ka publikuar faksimilet e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda të Prishtinës, që vendosi këtë të premte ti kthejë lirinë Albert Veliut, një ditë pas arrestimit.
Gashi publikoi në Facebook edhe një fotografi në zyrën e tij, ku shfaqet krah Albert Veliut dhe djalit të këtij të fundit. Në fytyrën e avokatit dhe “Bables” dallohet një buzëqeshje, ndoshta për triumfin ditën e sotme në gjykatë.
Në vendimin e gjykatës së Prishtinës që mban firmën e gjyqtarit Alltën Murselli, sqarohet se përfaqësuesi i akuzës, prokurori Hivzi Bajraktari ka kërkuar masën e sigurimit personal arrest me burg për Veliun me qëllim ekstradimin në Shqipëri, në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritet shqiptare, që e akuzojnë për veprat penale kallëzim të rremë në bashkëpunim dhe kalim i paligjshëm i kufirit.
Vetë Veliu, sipas dokumentit, ka kundërshtuar masën e kërkuar nga organi i akuzës duke thënë se ka kërkuar azil në Kosovë pasi në Shqipëri i rrezikohet jeta. Argument, ky që u përmend edhe nga avokati.
Avokati Tom Gashi, në mbrojtën e tij, ka thënë ndër të tjera se, nëse klienti i tij mbahet në burg, ky do të ishte “skandali më i madh juridik pas skandalit të mëhershëm të paprecedent”, të dëbimit të gjashtë gylenistëve nga Kosova në Turqi, ngjarje e ndodhur disa muaj më parë.
“Prokuroria ende nuk ka përpiluar apo nuk ka dorëzuar një kërkesë për procedurë të ekstradimit, që i bie që kërkon ekstradimin e klientit për veprime eventuale të cilat mund ti ndërmarrë në të ardhmen, me qëllim të drejtë, pa mëdyshje, ky më pak sa tepër specifike të kërkohet paraburgimi i tij personi që ka kërkuar azil politik në Kosovë që nga Maji i këtij viti dhe të cilit i është dhënë strehim – i është lëshuar certifikata e statusit të azilkërkuesit, dhe deri sa institucionet kompetente të departamentit për shtetësi dhe emigrim të vendosin, lidhur me dhënin e azilit apo jo, paraburgimit eventual i Albert Veliut mund të konsiderohet si skandali më i madh juridik pas skandalit të mëhershëm paprecedent të dëbimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi pa kurrfarë procedure ligjore”.
Në fund, gjykata vendosi lirimin e Albert Veliut.