Kosova thuajse ka dyfishuar hyrjet drejt Shqipërisë në muajin maj, sipas shifrave zyrtare të lëvizjes së shtetasve dhe këtë mund ta konstatosh lehtë edhe me një vizitë në bregdet.
Kryesisht janë përqendruar në Durrës dhe Shëngjin, por nuk kanë munguar edhe udhëtimet drejt Sarandës sipas operatorëve turistikë.
Ashtu sikurse pritej turizmi mbarë shqiptar duhet se do të jetë baza ed turizmit edhe për këtë vit pavarësisht lehtësimit të masave kufizuese edhe nga ana e Bashkimit Europian. Shtetasit nga Kosova përbënin 44% të totalit në maj 2021 nga 19.6% në maj të 2019-s.
Situata e lëvizjes së shtetasve është më e mirë se vitin 2020 por në raport me vitin 2019 kur kishim një vit normal pa pandeminë totali i hyrjeve ka rënë me 18 për qind në maj ndërsa në 5-mujor me 28%. Rënien më të madhe e ka Greqia ndërkohë që hyrjet janë rritur ndjeshëm nga polakët që vitin e shkuar ishin të kufizuar në numër. Në raport me vitin 2019 ky grup sërish shfaqet me hyrje më të ulëta si në raport me majin ashtu edhe për 5 mujorin.
“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Maj 2021, janë 605.421. Krahasuar me Maj 2020, ky tregues rezulton me një rritje 13,0 herë. Në Maj 2021, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 328.742. Krahasuar me maj 2020, ky numër është rritur me 20,1 herë. Ndryshimet e treguesve të lëvizjes së shtetasve, janë ndikuar nga masat kufizuese në Lëvizjen e shtetasve të vendosura në muajin maj 2020” raportoi INSTAT.
I njëjti nënvizoi se numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë 5-mujorit të parë të 2021 është 1.083.538, duke u rritur me 1,8 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020 .
“Gjatë pesëmujorit të parë të 2021, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë dhe Zvicra me 3,2 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 68,9% dhe Anglia me 36,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020” thuhet në publikimin e INSTAT.
Daljet e shtetasve
Daljet në janar- mar të këtij viti kanë rënë vetëm me 28.1 për qind në raport me vitin 2019. Ndërsa në raport me 2020 situata paraqitet më mirë.
“Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Maj 2021, janë 651.062 duke shënuar një rritje me 14,4 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Maj 2021, janë 344.500. Krahasuar me Maj 2020, ky numër është rritur me 12,1 herë. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Maj 2021, janë 306.562. Krahasuar me Maj 2020, ky numër është rritur me 18,1 herë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë pesëmujorit të parë të 2021, është 1.331.373. Ky tregues është rritur me 16,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në publikimin e INSTAT.