Kosova siguron 1.2 milionë vaksina nga kompania Pfizer

Qeveria e Kosovës ka arritur një marrëveshje të drejtëpërdrejtë me kompaninë Pfizer, përmes të cilës do të sigurohen 1.2 milionë doza brenda këtij viti.

Njoftimi është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, e cila bën me dije se marrëveshja është pjesë e përpjekjeve dhe objektivit të vendosur nga qeveria për të vaksinuar 60 për qind të popullsisë brenda këtij viti.

Në njoftimin e dhënë nuk detajohen pikat specifike të kontratës si çmimi i një doze apo datat e ardhjes së ngarkesave.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës: Është arritur marrëveshja me Pfizer për blerjen e 1.213.290 dozave të vaksinës COVID-19.

Ky moment shënon hapin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës përballë Covid-19, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe sistemin tonë shëndetësor.

Pas një pune intensive të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ekipit Negociator të Vaksinës, Kosova ka siguruar doza të mjaftueshme për të kryer vaksinimin përtej grupeve prioritare në përputhje me Planin Shtetëror të Vaksinimit.

Kosova ka një kapacitet të zinxhirit të ftohtë për secilin lloj të vaksinave, duke mundësuar që ato të ruhen sipas standardeve.

Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me një ritëm të shpejtë, për të arritur vaksinimin e 60% të qytetarëve deri në 2021.

Procesi i vaksinimit po vazhdon të zbatohet në përputhje me të gjitha parametrat e cilësisë dhe sigurisë nga ekipet e trajnuara në të gjithë vendin.

Mirënjohje për profesionistët mjekësor dhe stafit mbështetës për përpjekjet e vazhdueshme për t’u marrë me secilin aspekt kompleks të vaksinimit COVID-19 dhe për hartimin e planit shtetëror të vaksinimit COVID-19. Vaksinimi masiv do të jetë një hap i rëndësishëm drejt fitores në luftën tonë kundër COVID-19, përfshirë aksesin e sigurt dhe të plotë në shërbimet vitale.

Vaksinat kundër COVID-19 ofrojnë shpresë, por edhe më tej, do të duhet të kujtojmë masat parandaluese, të tilla si distanca sociale, maskat dhe ventilimi, duke shmangur grumbullimet dhe mjediset e brendshme, ndërsa higjiena e duarve duhet të vazhdojë të mbahet edhe pas vaksinimit.

Artikulli paraprakTabaku: Ndërtimet në po përdoren masivisht për pastrimin e parave
Artikulli tjetërTë shtëna me armë zjarri në Jug të vendit, plagoset një person