Kosova themelon agjencinë e tatimeve dhe doganave

Ministri i Financave Avdullah Hoti priti në takime të ndara përfaqësuesit e Sindikatës së Doganës dhe përfaqësuesin e Shoqatës së Shpediterëve të Kosovës, me të cilët diskutoi për themelimin e Agjencisë për Tatime dhe Doganë të Kosovës (ATDK) , ku me këtë rast u bë e ditur se bashkim i këtyre dy institucioneve në një agjenci të vetme është reforma më e madhe në administratën publike për shumë vite, e cila njëherit është prioritet edhe i Qeverisë së Kosovë. Gjatë këtyre takimeve u tha se synimi i themelimit të Agjencisë për Tatime dhe Doganë e Kosovës, është krijimi i një agjencie moderne, me besueshmëri të lartë dhe të paanshme, që do të mbrojë interesat financiare të Republikës së Kosovës, do të sigurojë efikasitet dhe drejtësi për qytetarë dhe biznese gjatë përmbushjes së detyrimeve të tyre tatimore ndaj shtetit të Kosovës.
Ministri Avdullah Hoti diskutoi me përfaqësuesit e Sindikatës së Doganave të Kosovës dhe Shoqatës së Shpediterëve edhe për hapat e bashkimit të dy agjencive në një të vetme si dhe respektimin e të gjitha të drejtave të zyrtarëve dhe punëtorëve të këtyre Agjencive gjatë dhe pas bashkimit. Me këtë rast Ministri Hoti falënderoi të gjithë stafin e ATK-së dhe Doganës për mbështetjen e këtij projekti të Qeverisë dhe gjithashtu bëri të ditur se të gjithë zyrtarëve të ATK-së dhe Doganës ju ka dërguar një Letër Zotimi ku i siguron ata se nuk do të ketë lëvizje të pozitave përkundrazi do të kenë përkrahje në avancimin dhe rritjen e njohurive profesionale.
Palët u dakorduan se në këtë proces të themelimit të kësaj Agjencie është e nevojshme edhe përfshirja e palëve të interesit, sidomos sugjerimet të cilat vijnë nga përfaqësuesit e bizneseve, nga shoqëria civile si dhe nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që procesi i bashkimit të ATK-së dhe Doganës në një Agjenci të vetme të të hyrave të jetë sa më funksional dhe transparentë.

Artikulli paraprakBllokimi i punës së “Bankers”, shteti humbje të mëdha, rrezikohet plani i doganave
Artikulli tjetërNaftëtarët e Ballshit në protestë: Për bukën e fëmijëve japim edhe jetën