Instituti GAP edhe një herë bën thirrje për uljen e numrit të ministrive dhe posteve ministore, si hap drejt uljes së shpenzimeve, rritjen e efiçiencës dhe eliminimin e barrierave burokratike. Instituti GAP, pas zgjedhjeve parlamentare të 2014, ka publikuar një hulumtim mbi “Ristrukturimin e Qeverisë” në të cilin është adresuar numri i madh i ministrive dhe propozimi për zvogëlimin e tyre, konkretisht të zvogëlohet numri i ministrive nga 19 në 13 sosh.
Po ashtu, në këtë hulumtim është adresuar edhe çështja e uljes së numrit të zëvendësministrave ku shumica e ministrave do të kishin vetëm nga një zëvendësministër. Me këtë propozim, vetëm shpenzimet e kabineteve të ministrave do të kursenin buxhetin në 3,6 milionë euro brenda një mandati. Propozimi për uljen e numrit të ministrive nga 19 në 13 ka të bëjë me këtë ristrukturim:
1) Fuqizimin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP) duke fuzinonuar në të një pjesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe pjesa tjetër e kësaj ministrie do të shuhej. Integrimi i MAPL në MAP do të kursente buxhetin e Kosovës, do të fuqizonte MAP-in, do të rriste efikasitetin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin e agjendës brenda një ministrie për një administratë publike efektive dhe profesionale.
2) Funksionimin e një ministrie të vetme për zhvillim ekonomik duke integruar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ministrinë e Financave (MF), Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) në një ministri të vetme që do të merrej me zhvillimin e ekonomik. Roli dhe funksioni i ministrive aktuale për financa, tregti dhe industri dhe infrastrukturë janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik. Shpërndarja e këtyre përgjegjësive në katër ministri të ndryshme nuk është treguar efikase dhe ka ndikuar negativisht në përqendrimin e Qeverisë në këtë fushë. Shkrirja e katër ministrive në një ministri të vetme nuk nënkupton edhe shërbërjen e strukturave profesionale të ministrive ekzistuese por një bashkërendim me të mirë të agjendës në drejtim të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
3) Shuarjen e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK) ku punët që kryen sot kjo ministri do të kryheshin më me efikasitet nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Kryeministrit dhe zyrave komunale për komunitete dhe kthim në nivel lokal. Vazhdimi i funksionimit të një ministrie për kthim dhe komunitete edhe 17 vite pas përfundimit të luftës duket i paarsyeshëm. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që Qeveria të injorojë çështjet që ndërlidhen me komunitetet apo kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre.
4) Shpërndarjen e Ministrisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Qeveria ka obligim të kujdeset për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, por krijimi i Ministrisë së Diasporës në vitin 2011 nuk përfaqëson mënyrën e vetme dhe të duhur për të trajtuar nevojat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Prandaj, Instituti GAP rekomandon që pjesa e madhe e kësaj ministrie (pjesa profesionale) të funksionojë në kuadër të një departamenti në kuadër të MPJ, derisa pjesët që kanë të bëjnë me politikat e arsimit dhe kulturës, të kalojnë nën MASHT dhe MKRS.
Hulumtimi i Institutit GAP trajton ndaras dhe detajueshëm secilin propozim të dhënë më sipër duke dhënë shpjegime se cilat pjesë të këtyre ministrive mund të shuhen, cilat deparamente të integrohen në ministri tjera, dhe shpenzimet e kabineteve të ministrive që propozohet të shpërndahen.