Kosovë – Mustafa: Automjetet e institucioneve të mos shfrytëzohen për pushime në Durrës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se është e pakuptimtë që automjetet publike të shfrytëzohen nga zyrtarët për pushime në Durrës. Sipas tij, ka një ecuri më të mirë të hyrave buxhetore dhe efikasitet më të lartë të institucioneve, por mjetet duhet të shfrytëzohen në mënyrë racionale. Këto deklarata kryeministri i bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë, në të cilën është miratuar raporti gjashtëmujor i buxhetit të Kosovës për vitin 2016. Ministri i Financave, Avdullah Hoti i cili para qeverisë prezantoi raportin tha se kjo periudhë është karakterizuar me ritëm të rritjes së aktivitetit ekonomik. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme po ashtu ka miratuar Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. Qeveria ka marrë vendim edhe për ndarjen e mjete financiare në vlerë prej 300 mijë euro për aktivitetet lidhur me shpalljen dhe kanonizimin e shenjtërisë Nëna Terezë, i cili do të mbahet më 4 shtator.  Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 10 mije euro për qendrën për studime dhe shërbime psikologjike dhe sociale për përkrahjen e Projektit Atomi. Nga mbledhja e sotme, është marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare prej 18 mijë eurove për shoqatën e të verbërve nga Peja, për botimin e legjislacionit të alfabetit të Braillit.

Artikulli paraprakPasojat e para të Brexit, ekonomia britanike në nivelin më të ulet në 7 vite
Artikulli tjetërGuardian: Pse BB mbështet ndërtimin e termocentralit në Kosovë