Kosovë, papunësia po rrit kriminalitetin

Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë vlerësohet si një prej faktorëve që ndikon në rritjen e veprave kriminale dhe shfaqjen e dukurive të tjera negative.
Sipas sociologëve dhe psikologëve, shkalla e lartë e papunësisë ndikon sidomos tek të rinjtë që të përfshihen në dukuri negative.
Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2015, niveli i papunësisë në Kosovë ka arritur në 32.9 për qind, ndërsa shkalla e punësimit 25.2 për qind.
Në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës, të cilat iu dërgohen mediave, paraqiten raste të krimeve të rënda dhe shumë prej tyre u përkasin dukurive të vjedhjeve nëpër banesa, shtëpi private, institucioneve financiare, veturave e dyqaneve.
Sociologu Leotrim Sahiti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se papunësia në aspektin social ka efekte të shumta negative, të cilat dëmtojnë rëndë shoqërinë në përgjithësi.
“Problemi më akut i kësaj shoqërie është papunësia, sidomos tek të rinjtë. Përveç efektit ekonomik që e ka në shoqërinë kosovare, sigurisht ka edhe ndikime të tjera. Në aspektin social, niveli i lartë i papunësisë mund të ndikojë deri tek revoltimi i rinisë. Ky nivel i lartë i papunësisë po ashtu ndikon shumë keq në rritjen e kriminalitetit dhe pastaj shfaqjen e dukurive negative, si dhe ikjes së të rinjve nga Kosova në vendet të tjera”, thotë Sahiti.
Papunësia është parë si shkaktari kryesor edhe i veprimeve të tjera, qoftë i përfshirjes së qytetarëve në veprime jo legale apo edhe i largimit të tyre nga vendi.
Gjatë nëntorit 2014-qershorit 2015 ishte shënuar një fluks i madh i largimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet e Evropës Perëndimore. Arsyeja e largimit të këtyre banorëve nga Kosova ishte thënë të ishte papunësia dhe gjendja e rëndë ekonomike e tyre.
Fluksi i largimit të qytetarëve nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian, shton sociologu Sahiti, mund të përsëritet edhe në të ardhmen, nëse autoritetet e Kosovës nuk do të arrijnë të krijojnë vende të reja të punës për të rinjtë.
Pasojat e nivelit të lartë të papunësisë, në anën tjetër, sipas profesorit të psikologjisë, Fitim Uka, janë të mëdha edhe në aspektin psikologjik.
“Mund të them me përgjegjësi të plotë që kjo shkallë e lartë e papunësisë, në veçanti tek të rinjtë – të cilët kanë përfunduar një nivel të studimeve dhe pamundësia e tyre për të gjetur punë – shkakton një varg të problemeve në aspektin psikologjik. E para ka të bëjë me mungesën e besimit dhe vetëvlerësimit”, thekson Uka për Radion Evropa e Lirë.
Mungesa e vendeve të punës, shton Uka, lidhet ngushtë me stresin që përjetojnë të rinjtë e papunë.
Ai thotë se përderisa ata përjetojnë stres, predispozitat janë të mëdha që ata të përjetojnë edhe gjendje të tilla emocionale negative, siç është depresioni.
“Konsideroj që gjithë mekanizmat institucionalë do të duhej të viheshin në funksion, në mënyrë që të krijojmë vende të reja të punës dhe të rinjtë të kenë mundësi që të shfrytëzojnë potencialin e tyre, në të kundërtën rrezikojmë që gjithë këta të rinj të shëndoshë të mos i kemi të tillë dhe të kemi shtim të numrit të problemeve të shëndetit mendor në mesin e tyre”, thekson Uka.
Ndërkohë, të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen të shqetësuar për perspektivën e tyre në Kosovë.
Arif Morina, një i ri nga Malisheva, shprehet i zhgënjyer nga puna e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, të rinjtë në Kosovë po përballen me vështirësi të shumta në fusha të ndryshme, derisa autoritetet kompetente po heshtin.
“Mendoj që nuk ka ndonjë perspektivë për të rinjtë në Republikën e Kosovës. Ne vetëm e përfundojmë fakultetin. Fakulteti është bërë njëlloj për të gjithë, vetëm ta përfundojmë dhe asgjë tjetër”, thotë Arifi.
Ndryshe, bazuar në trendet e zhvillimit ekonomik në vend dhe parashikimet e Bankës Botërore, si dhe në vlerësimet e ekspertëve të fushës, shkalla e papunësisë pritet të mbetet e njëjtë edhe për dy vitet e ardhshme.

Artikulli paraprakGjyqi i Kelmendit zbulon rrjetin e trafikimit të drogës në Ballkan
Artikulli tjetërPoloni, demokracia në rrezik