Që nga janari i vitit 2015 janë në rënie normat e interesit. Sokol Havolli, këshilltar për ekonominë i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa tha se: “Përveç stabilitetit makroekonomik, fiskal dhe financiar, themelimi i fondit për garantimin e kredive, falja e borxheve e shumë politika të tjera, kanë reflektuar në këtë ulje. Po ashtu, lëndët e raporteve huamarrëse në sistemin e drejtësisë kanë një procedim shumë më të shpejtë dhe në interes të përgjithshëm të ekonomisë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Havolli ka thënë se normat e interesit përcaktohen nga shumë faktorë, ndër ta “kërkesa dhe oferta për kredi, siguria e kredimarrësve, instrumentet për realizim të kolateralit në rast të dështimit të pagesës, gjendja e përgjithshme ekonomike në vend e shumë të tjera”.
“Sot, fillimi i një biznesi është shumë më i lehtë kur merret parasysh kostoja e financimi, që dikur ka qenë barriera kryesore e raportuar nga bizneset. Po ashtu, në foton 2 shihet se edhe për sektorët prioritarë, si bujqësia, financimi është më i lirë. Politikat përkrahëse po ashtu kanë siguruar kontinuitet në financim”, ka shkruar ai.