Kosovë, pronat e uzurpuara, problem për investitorët nga diaspora

Një pjesë e investitorëve nga diaspora, që kanë blerë prona shoqërore në valët e privatizimit në Kosovë, nuk kanë arritur ende që t’i shfrytëzojnë ato, për shkak të problemeve pronësore. Investime të shumta që investitorët nga diaspora kanë synuar t’i bëjnë në Kosovë nuk i kanë realizuar në mungesë të masave konkrete të autoriteteve për të zgjidhur kontestet. Arsim Maxhuni nga Gjermania para tri viteve, në njërën nga valët e privatizimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte blerë një lokal në Prishtinë, në vlerë prej 200 mijë eurosh. Ka më shumë se tri vjet që nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë pronë, për shkak të problemeve pronësore. Mehdi Jonuzi, familjar i Arsim Maxhunit, në një bisedë për Radion “Evropa e Lirë” ka treguar rreth problemeve që ata i kanë me këtë pronë. “Prona është e dhëndrit, e vajzës sime, e cila është në Gjermani. Ata e kanë blerë një lokal në Prishtinë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, dhe këtë lokal e kanë blerë para tri viteve në shumë prej 200 mijë eurosh. Ata i kanë paguar paratë, por prona është e uzurpuar dhe nuk iu është lejuar ta shfrytëzojnë”, thekson Jonuzi. Për këtë çështje, thotë Jonuzi, kanë angazhuar edhe një avokat, por lënda për këtë rast, e nisur para dy viteve, ende vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Por, lidhur me kontestet pronësore, gjyqtari i materies civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Hasim Sogojeva, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” se, në zgjidhjen e problemeve pronësore Kosova ka shënuar ngecje. Sipas tij, është më se e nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të nxjerrë ligje që rregullojnë fushën e pronësisë. Problemet, thotë ai, janë shkaktuar edhe me faktin se një pjesë e dokumentacionit të pronave është marrë nga Serbia, pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Exit mobile version