Kosovë, rimbursimet me kuponët, qytetarëve u shtohen kostot e shërbimeve

Për të fituar 10 euro rimbursim nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në rastin e dorëzimit të kuponëve fiskalë qytetarët e vendit duhet t’i shpenzojnë 2,5 euro, apo 25 për qind të mjeteve që ata marrin. Qytetarët e vendit po “plaçkiten” edhe në rastin e rimbursimit të kuponëve fiskalë. Ata obligohen që të paguajnë shërbime bankare, si dhe postare në mbledhjen e kuponëve nga të cilët marrin një shumë simbolike. Që me fillimin e rimbursimit të mjeteve nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) qytetarët detyrohen që të paguajnë provizion bankar me një shumë nga 2 euro.
Por, që nga ky muaj qytetarëve iu shtohet edhe një kosto tjetër prej 0,50 euro pasi që tani aplikimi dorëzimi i plikove me kuponë fiskalë do të bëhet online në cilëndo pikë të Postës së Kosovës. Për shumën prej 10 eurosh që e fitojnë nga rimbursimi i kuponëve fiskalë ata obligohen që të paguajnë shërbimet e postës si dhe ato bankare. Por, këto shërbime po shihen si ofendim ndaj qytetarëve nga kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai ka thënë për “Zërin” se këto kushtëzime janë diskriminim, mashtrim dhe ofendim i qytetarëve.
“Është diskriminim, është mashtrim, është keqtrajtim dhe është ofendim i inteligjencës së qytetarit konsumator. Ne si organizatë ‘Konsumatori’ kemi qenë jashtëzakonisht të zellshëm në kërkesat për disa lehtësime fiskale. Kemi hyrë në vitin e pestë që organizata ‘Konsumatori’ i ofrohet Ministrisë dhe institucioneve gjegjëse që në partneritet të trefishojmë buxhetin dhe të mos kemi arnime të tilla të cilat po na kushtojnë kohë dhe shqetësime, nervozë”, ka thënë ai.

Artikulli paraprakProtesta e punonjësve e ARMO-s: Do lëmë Jugun pa ujë
Artikulli tjetërInvestimet, në 3 muajt e parë u kryen vetëm 12%