Kosovë, rritet konsumimi i produkteve vendore

Konsumimi i produkteve “Made in Kosova”, thuhet të ketë shënuar rritje, krahasuar me vitet e mëhershme. Produktet vendore, të cilat konsumohen më së shumti nga qytetarët janë uji dhe ato ushqimore. Kompania “Frutex” nga Suhareka, është një nga kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike në Kosovë. Shaqir Palushi, pronari i kësaj kompanie, ka theksuar se rritja e konsumimit të produkteve vendore, ka ndihmuar në zhvillimin e afarizmit të tyre. “Të paktën në këto dy-tre vite të fundit ka filluar vetëdijësimi i të gjithëve për konsumimin e produkteve vendore. Ky vetëdijësim vërehet edhe tek prodhuesit të cilët kanë arritur të prodhojnë produkte cilësore, po ashtu vërehet një rritje e vetëdijesimit edhe tek institucionet e vendit për rëndësinë e përkrahjes së prodhuesve. Por, edhe qytetarët e kanë parë të nevojshme konsumimin e produkteve vendore, në mënyrë që të zhvillojnë prodhuesit vendor”, ka theksuar Palushi. Ndërkohë, një anketë e publikuar javë më parë nga Klubi i prodhuesve në Kosovë, kishte vënë në pah se nga 1064 qytetarë të anketuar, 60 për qind e tyre kishin deklaruar se kanë rritur konsumimin e prodhimeve vendore në krahasim me vitin e kaluar. Të anketuarit theksohet në këtë anketë, kanë përshtypje të mirë për prodhimet vendore, por që shumica e tyre kanë sugjeruar që cilësia duhet të përmirësohet.
Kryetari i organizatës joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit, Selatin Kaçaniku, thekson se për të pasur produkte më cilësore vendore, institucionet e shtetit duhet të fuqizojnë prodhuesit vendor. “Qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të interesuar të konsumojnë prodhime vendore, por problemi për mos konsumimin e këtyre produkteve nuk qëndron tek qytetari, por tek institucionet e shtetit, të cilat nuk arrijnë të fuqizojnë prodhuesit vendor dhe më pas të informojnë qytetarin për rëndësimin e konsumimit të produkteve vendore”, thekson Kaçaniku. Ndërkohë, disa qytetarë të anketuar nga Radio “Evropa e Lirë” thonë se kanë filluar të konsumojnë produktet vendore. Artani, një qytetar nga Prishtina tregon se në familjen e tyre çdo gjë që konsumohet është vendore. “Vetëm prodhimet vendore i konsumojmë, nuk i pëlqej produktet e huaja. Prodhuesve nga Kosova i duhet përkrahja jonë”, thotë ai.
Faton Hajdini, i cili punon në njërin nga restorantet në Prishtinë, tregon se në lokalin e tyre lëngjet dhe disa produkte të tjera janë vendore. “Ne jemi shumë të kënaqur që përdorim produktet tona. Cilësia e tyre në përgjithësi është e mirë, po ashtu edhe konsumatorët që vizitojnë lokalin tonë nuk kanë pasur ndonjë ankesë me atë që ne iu kemi shërbyer”, shprehet Hajdini. Vesa Ibrahimi, një qytetare tjetër, mendon se duke konsumuar produktet vendore, do të mund të zhvillohet sektori i prodhimtarisë në Kosovë. “Mundohem që t’i përdori të gjithë produktet të cilat janë vendore. Disa janë të mira që i përdorim patjetër, por janë edhe disa të tjera, të cilat nuk janë mjaft cilësore, por ne po i përdorim pasi që nëse i përdorim ne iu rrisim mundësinë që ata të përmirësohen dhe të rrisin cilësinë e produktit që e prodhojnë”, thotë ajo. Sidoqoftë, Kosova vazhdon të ketë nivelin e lartë të importit të produkteve që vijnë nga vendet e rajonit BE-së dhe më gjerë.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës kishin treguar se mbi 2.5 miliardë euro ishte vlera e importit të produkteve të huaja në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës ka arritur në vlerën mbi 300 milionë euro.

Exit mobile version