Tarifat e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë do të vazhdojnë të jenë të zbritura për 50 për qind për të gjitha kategoritë e mjeteve motorike. Sigurimi kufitar i auto-përgjegjësisë është sigurim, i cili është i obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit janë të obliguar ta paguajnë këtë tarifë kur hyjnë në territorin e Kosovës për shkak se kjo e fundit nuk është ende anëtare e byrove të Kartonit të gjelbër. Drejtori i Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Bankës Qendrore të Kosovës Nexhat Miftari,tregon për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për uljen e këtyre tarifave i marrë vitin e kaluar, do të jetë në fuqi deri në një vendim tjetër. “Vendimi për zbritjen e tarifave të sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë për të gjitha kategoritë e mjeteve motorike, është akoma në fuqi deri në vendimin e ardhshëm. Bashkatdhetarët tanë janë të interesuar që edhe në Kosovë të vlejë kartoni i gjelbër, pasi që sikur kjo të vlente, ata nuk do të kishin pasur nevojë të paguajnë sigurimin kufitare, por që kjo aktualisht nuk mund të realizohet dhe se çdo individ, i cili hyn në Kosovë, duhet të ketë policë të sigurimit të vlefshme për territorin e Kosovës”, sqaron Miftari. Ky vendim, që kishte hyrë në fuqi vitin e kaluar, ka lehtësuar barrën financiare të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e të cilët gjatë sezonit të verës vijnë në Kosovë për pushime. Por, që zbritja për 50 për qind e tarifave të sigurimit kufitar të auto -përgjegjësisë për të gjitha kategoritë e mjeteve motorike, thuhet t’u ketë shkaktuar dëme financiare kompanive të sigurimit. Kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli, tregon për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht dëmeve financiare që u ka shkaktuar ky vendim kompanive të sigurime, ai do të mbetet në fuqi si i tillë. “Janë shkaktuar dëme financiare, por ne jemi pajtuar me këtë zbritje pasi që bëhet fjalë për bashkatdhetarët tanë. Nga këto zbritje që ishin bërë vitin e kaluar, ne kemi pasur mbi 30 mijë automjete më shumë, të cilat kanë hyrë në territorin e Kosovës”,bën të ditur Pacolli. Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një vit kap vlerën e sigurimit prej 205 eurosh. Këto tarifa janë dukshëm më të larta për autobusë dhe kamionë me mbi një ton. Për, qytetarët të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, në Kosovë pritet të organizohen aktivitete të shumta. Zëdhënësi i Ministrisë së Diasporës, Lorik Pustina, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se aktivitete do të mbahen nën fushatën “Ti je pjesë e atdheut”. Në fokus do të jetë regjistrimi i diasporës dhe mësimi i gjuhës shqipe në diasporë. “Hapja e fushatës do të bëhet të shtunën ku do të bëhet prezantimi i mbi 250 aktiviteteve të ndryshme. Në këtë vit jemi përqendruar që të kemi një variaritet më të madh të këtyre aktiviteteve, jemi konceptuar që të kemi më shumë aktivitet për të rinj. Janë dy kampe, të cilat do të mbahen. Të rinjtë e diasporës do të njoftohen me historinë, gjuhën dhe çfarëdo që ka të bëjë me identitetin kombëtar shqiptar”, shpjegon Pustina.
Kryesore
Continue to the category“Së shpejti bëjmë publik emrat e kandidatëve”, Basha: Jemi forca e...
Në intervistën për televizionin Vizion Plus, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, theksoi se ekipi i tij në zgjedhjet e ardhshme do të...