Ekspertët e ekonomisë thonë se cikli zgjedhor në të cilin po hyn Kosova, do të mund të shmangë vëmendjen nga ekonomia, kurse një ngërç politik eventual, sikurse në vitin 2014, do ta shkatërronte atë në shumë aspekte. Sipas tyre, viti 2017 do të jetë një prej viteve më të vështira për ekonominë e vendit për faktin e mbajtjes së dy palë zgjedhjeve, atyre të parakohshme parlamentare në qershor dhe lokale nga fundi i vitit. Përveç disa projekteve që konsiderohen të mëdha e të cilat mund të “bllokohen” nga zgjedhjet, sipas ekspertëve mund të ndikojë edhe në hezitimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë dhe në krijimin e reja të vendeve të punës. Berat Thaçi, analist i politikave në Institutin për Studime të Avancuara GAP, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se i gjithë fokusi do të zhvendoset tek fushata dhe zgjedhjet, duke i sjellë dëme të pariparueshme ekonomisë së vendit. “Për vetë faktin se qe disa herë ne po shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nuk është gjë e mirë sepse vetë fokusi i ministrave dhe stafit politik, veçanërisht në qeveri, fillon të zhvendoset tek zhvillimet politike, më saktësisht tek fushata. Dhe duke marrë parasysh se vetë ministrat dhe stafi politik presin që brenda një kohe të shkurtër të largohen nga qeveria, atëherë ata nuk mund të përgatisin plane afatgjatë. Pra, si i tillë, fokusi shpërqendrohet nga ekonomia në politikë”, thotë Thaçi. Edhe profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku, shqetësimin më të madh e paraqet tek rritja ekonomike, pasi sipas tij, Kosova ka nivelin më të ulët të rritjes ekonomike në rajon. “Vazhdimi me këtë dinamikë të paqartë të reformave strukturore, vazhdimi me këtë nivel të ulët të investimeve të jashtme, sigurisht që do të reflektohet në situatën e përgjithshme në Kosovë, e sidomos në situatën sociale të popullatës”, shprehet Sadiku. Ekspertët thonë se pas zgjedhjeve të qershorit, duhet të bëhet formimi i shpejtë i qeverisë se re, në mënyrë që mos të përsëritet ngërçi politik i vitit 2014. Sipas tyre, stagnimi institucional do të sjellë efekte negative në shumë sektorë ekonomikë e konkretisht tek sektori i privat, i cili edhe ashtu ballafaqohet me probleme të mëdha. Pas zgjedhjeve të parakohshme në qershor të vitit 2014, Kosova hyri në një fazë të bllokadës politike, me partitë atëbotë në opozitë që provuan ta bllokojnë PDK-në në rivazhdimin e mandatit të saj. Bllokada u zgjidh në fund të vitit 2014, por ekspertët thanë se efektet e saj ishin të mëdha për ekonominë e vendit. Muhamet Sadiku thotë se zgjedhjet vazhdimisht po mbahen para mandatit kushtetues katërvjeçar, por thotë se qeveria e re, duhet të angazhohet më shumë në zbutjen e problemeve ekonomike, politike dhe sociale.
Kryesore
Continue to the categoryPakti i Tretë: Kleçka e negociatave Berisha-Rama për votën e diasporës
Siç e deklaroi publikisht Sali Berisha, ka ditë që po zhvillohen negociatat midis njerëzve të tij dhe atyre të mazhorancës për të bërë ndryshime...