Kostoja e portit të Porto Romanos fluturon në mbi 1 miliardë euro, qeveria zbulon faturën e bazës detare

Kostot e projektit për ndërtimin e portit të ri nuk ndalen vetëm tek infrastruktura portuale. Qeveria ka përfshirë në listën e projekteve kombëtare edhe ndërtimin e një baze detare në Portin e Porto Romanos. I klasifikuar si projekt me nivel prioriteti A, baza detare planifikohet të kushtojë 366 milionë euro.

baza detare

Kjo e çon koston totale të kompleksit portual në Porto Romano në 1 miliardë e 20 milionë euro, që përfshin dy fazat e ndërtimit dhe Portit dhe ndërtimin e bazës detare.

Qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë publikisht se është në negociata me NATO-n për ndërtimin e kësaj baze. Madje në më shumë se një rast kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku kanë deklaruar se një pjesë e bazës do të financohet nga NATO. Por deri më tani ky version nuk është konfirmuar asnjëherë zyrtarisht nga organizata e Atlantikut të Veriut.

Një burim i tha Kapitalit se NATO është duke studiuar dy vende të tjera për ndërtimin e bazave strategjike detare në jug të Shqipërisë.

Kostot e Portit nuk ndalen
Kur prezantoi projektin për të çmontuar portin e ekzistuesit të Durrësit dhe për të ndërtuar një port të ri në Porto Romano, qeveria u tregua e kujdeshme të zbuste kostot e projektit. Fillimisht ajo deklaroi vetëm koston e ndërtimit të fazës së parë në Porto Romano prej 393 milionë eurosh.

Por tani kostot e projektit po rriten gradualisht teksa qeveria ka zbuluar në listën e projekteve kombëtare edhe kostot për fazën e dytë të ndërtimit të portit dhe atë për bazën detare. Faza e dytë e portit do të kushtojë 261 milionë euro të tjera, ndërsa baza detare 366 milionë euro. Pra në total bëhet fjalë për një faturë, e cila deri më tani ka arritur në 1 miliardë e 20 milionë euro.

Kjo është shuma që do të paguajnë qytetarët shqiptarë nga taksat e tyre për zhvendosjen e portit tregtar nga Durrësi në Porto Romano me qëllim që në territorin e portit ekzistues të Durrësit të ndërtohet porti turistik i kompanisë arabe Eagle Hills.

Por teksa qeveria ngarkon fatura miliardere mbi kurrizin e qytetarëve, privatët marrin tokën e falur dhe fitimet nga shitja e vilave dhe kullave në Durrës.

Exit mobile version