Media italiane L’Espresso ka publikuar një dokument të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë, ku sipas kësaj media tregohet një absurditet ekonomik, por edhe njerëzor.
“Për të kuptuar së cfarë është në të vërtetë kjo marrëveshje, mes kryeministres Meloni dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama, për të dërguar një grusht emigrantësh në Shqipëri, duhet të lexoni raportin e nënshkruar nga Biagio Mazota, kreu i Kontabilitetit të Përgjithshëm Shtetëror”, shkruan L’Espresso.
Sipas kësaj mediaje ky është një dokument kompleks i nënshkruar pas një analize kostoje po aq komplekse.
Protokolli i nënshkruar nga Italia dhe Shqipëria ka një vlerë prej 230 milionë eurosh. Për më tepër, janë edhe 75 milionë të tjera për eksportin dhe lidhjen e sistemit gjyqësor italian me Shqipërinë. Fatura totale shkon më shumë se 300 milionë euro.
Në raport bëhet me dije se zona nuk është e pajisur me kanalizime për shkarkimin e ujërave të zeza dhe po ashtu është e nevojshme të krijohet një rezervuar depozitimi me kapacitet të përshtatshëm për të zbrazur periodikisht me një mjet përpunimi ose është e nevojshme të ndërtohet një impiant për pastrimin e tyre.
Zona është e lidhur me rrjetin elektrik publik në tension të mesëm përmes kabllove ajrore. Në dokument theksohet se rastet e mungesës së energjisë elektrike janë të shpeshta, prandaj është e nevojshme të furnizohet zona me gjeneratorë për furnizimin me energji elektrike dhe funksionimin e vazhdueshëm të kompjuterëve dhe serverave.
Uji i pijshëm merret nga një depo me një pompë, që nuk është e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë qendrën. Është e nevojshme të parashikohet ndërtimi i rezervuarëve për të siguruar ujin në kamp.
Zona në tërësi nuk është urbanizuar, prandaj është e nevojshme të ndërmerren hapa për largimin e dherave, prerjen e pemëve, shembjen e rrënojave ekzistuese, si dhe ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës, për hyrjen në zonë dhe brenda saj. Po ashtu, sipas marrëveshjes, përdorimi i personelit të Ministrive të Brendshme, të Drejtësisë, e të Shëndetësisë në Shqipëri, përfshirë udhëtime, ushqim dhe strehim, kërkon fonde shtesë prej 57,7 milionë eurosh.
Sipas gazetës italiane l’Espresso, 10 Qendrat e Përhershme të emigrantëve në territorin italian kanë kushtuar 52 milionë euro për katër vjet, ndërsa transformimi i Shëngjinit dhe veçanërisht Gjadrit do të kushtojë të paktën pesë herë më shumë për pesë vitet e ardhshme.
L’Espresso paralajmëron se do të ketë një shërbim të dedikuar tërësisht për marrëveshjen me Shqipërinë dhe çdo ditë do të publikojë ato që i cilëson si anët e errëta të paktit Rama-Meloni.