Kot i mbajnë shpresat të korruptuarit, SPAK nuk do të ‘tradhtohet’!

Nga Spartak Ngjela

Të pandehurit e mëdhenj, ish- kryeministra dhe ministra, që e mbajtën shpresën e kotë të tyre te SPAK-u që, sipas tyre, do të goditej nga politika amerikane në favor të Sali Berishës etj. – tani e kuptuan se kanë qenë në një vanitet juridiko-penal.

SPAK nuk mund të bënte e as që mund të bëjë lëshime për korrupsionin e lartë në Shqipëri, sepse ai për këtë çështje ka dalë me ndihmën e plotë të politikës amerikane dhe pushtetit gjyqësor të Amerikës.

Sot SPAK dihet që po drejtohet profesionalisht nga Shtetet e Bashkuara në funksion të drejtësisë që po kërkohet profesionalisht të vendoset në Shqipëri.

Dhe, pikërisht këtu ka filluar historia e re e shtetit shqiptar dhe drejtësisë që po kërkohet të vendoset në Shqipëri, në një kohë që është e provuar se Shqipëria ka qenë vendi më i korruptuar në rang botëror.

Dhe koha politike dhe juridiko-penale e Shqipërisë do të ecë në këtë drejtim.

Për këtë duhet të jemi të sigurt.

Shpresat e kota të korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, janë ëndrra në diell dhe asgjë më tepër.

Kurse nga shenjat që po konstatohen, dhe nga proceset penale që do të përfundojnë gjatë këtij muaji, do të shohim edhe padi të tjera penale në funksion të pastrimit ligjor të korrupsionit në Shqipëri, dhe gjithçka do të shkojë drejt zhvillimit kombëtar.

Gjithkush duhet ta dijë e ta ketë të qartë sot se, dëmi materialo-moral që i ka shkaktuar Shqipërisë korrupsioni i lartë shtetëror në mbi 25 vite rresht ka qenë shumë i madh, dhe e ka dëmtuar shumë shoqërinë shqiptare materialisht duke goditur drejtpërsëdrejti mirëqenien e saj.

Por tani jemi drejt fundit.

Dënimi penal dhe konfiskimi i parasë dhe pronave të korrupsionit të lartë në Shqipëri, do të jetë shumë i madh, dhe në favor të mirëqenies së popullit shqiptar.

Sipas të dhënave aktuale, konfiskimi i pasurisë së korrupsionit në Shqipëri, do të jetë rreth 300 miliardë dollarë. Sepse është kalkuluar se korrupsioni shtetëror në Shqipëri ka përvetësuar me një mesatare mbi 15 miliardë dollarë në vit, duke filluar që nga viti 2000.

Exit mobile version