Kovaçiç transferimi më i dobët

Mateo Kovaçiç është duke u konsideruar si transferimi më i dobët në La Liga. Real Madridi është një prej klubeve që lëvizjet e gabuara në transferime i ka kthyer në traditë dhe i fundit në radhën e gjatë të galaktikës “Los Blancos” është kroati Mateo Kovaçiç i blerë nga Interi vetëm një vit më parë. Sipas një studimi të kryer nga agjencia “Prime Time Sport”, mesfushori ballkanas rezulton blerja me rendimentin më të dobët e sezonit 2015/16 në Spanjë.
Kovaçiç ka pasur përqindjen më të vogël të aktivizimit krahasuar me 10 blerjet më të shtrenjta në La Liga. Për kroatin, Reali derdhi 35 milionë euro në arkën e Interit, por ai është aktivizuar vetëm në 30% të minutave që ka pasur në dispozicion, duke mos arritur të justifikojë koston e kartonit të tij.
Edhe gjatë këtij sezoni, Kovaçiç është aktivizuar vetëm 90 minuta në kampionat gjatë javës së parë, ndërsa ndaj Celta Vigos ai nuk zbriti për asnjë moment në fushën e lojës. Casemiro, Kroos dhe Modriç janë titullarë të padiskutueshëm në skemën e Zidane, duke e bllokuar në stol 22- vjeçarin që gjatë kësaj vere u ndoq gjatë nga Milani dhe Juventusi, por mesa duket, presidenti Perez ka vendosur t’i japë edhe një shans përpara se të vendosë largimin e tij përfundimtar nga ‘Santiago Bernabeu’.

Mançini kujton kohën te Interi

Për Roberto Mançinin rikthimi tek Interi ishte një eksperiencë e bukur. Ish-trajneri i zikaltërve ka folur në lidhje me periudhën kur ai stërviste ekipin nga Milano. Gjatë intervistës së tij 51-vjeçari është shprehur se rikthimi i tij tek zikaltërit ishte diçka e bukur për të, pavarësisht se nuk u arrit ajo çka drejtuesit e klubit kërkonin. Sidoqoftë tekniku është i mendimit se skuadra nën drejtimin e tij ka arritur një nivel të kënaqshëm. Mançini nuk u ndal më pas te rrëfimi rreth momentit të largimit.
“Pati thjesht një shtrëngim duarsh mes miqsh. Nuk kam asnjë lloj rezerve ndaj drejtuesve të klubit dhe këta të fundit ndaj meje. Mes nesh ka një raport të mirë. Më vjen keq që nuk arritëm të gjenim gjuhën e përbashkët. Objektivi im ishte kampionati dhe rikthimi i Interit në Champions League, por misioni im nuk arriti të merrte dhe mbështetjen e presidencës. Sidoqoftë unë mbetem një tifoz i Interit”, u shpreh Mançini.
Roberto Mançini e ka një pendesë dhe ajo lidhet me merkaton. Sipas tij nëse Interi do të kishte afruar Zlatan Ibrahimoviç ose Yaya Toure skuadra do të mund të ishte një rival i denjë për Juventusin. “Kisha arritur një marrëveshje me Yaya Toure, por në fund ai vendosi të mos e tradhëtonte Man.City. Do kisha dashur të bashkëpunoja dhe me Zlatan Ibrahimoviç. Madje, mund të them se nëse do t’i kishim transferuar të dy, atëherë Interi do të ishte rivali direkt i Juventusit. Sepse bardhezinjtë momentalisht kanë arritur një nivel të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet”, tha ish-trajneri i Interit.
I pyetur se cili do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm, Mançini u përgjigj se për momentin nuk ka asnjë alternative, duke shtuar se herë pas herë një trajneri i bën mirë të shkëputet për pak nga bota e futbollit.

Exit mobile version