KQZ merr vendimin për Fredi Belerin, shpallet i pavlefshëm mandati për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur sot (5 korrik) të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

 

Në seancën e sotme ishte i pranishëm dhe vetë Fredi Beleri, i dënuar me dy vite burg për blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit të 2023, i cili u paraqit në sallë me pranga në duar dhe i shoqëruar nga efektivët e burgjeve.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, u shpreh se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes.

Mendoj se jemi ne kushtet e humbjes se mandate të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, u shpreh Celibashi.

Ky ishte një vendim i pritshëm nga ana e KQZ, gjë që e konfirmoi edhe vetë Beleri gjatë fjalës së tij, ku tha se ishte i vetëdijshëm që do t’i hiqej mandati.

“Siç erdha sot këtu mund të kisha shkuar në Himarë e të isha betuar. Vullnet politik ishte sot, drejtoria e Burgjeve që është në varësi të Ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrisë më dha leje.

Këtë leje mund ta merrja për të bërë betimin, ata që vendosën rrëmbimin e Bashkisë Himarës duhet të lini të pinë gotën e helmit deri në fund. Unë duhet të betohem dhe më pas të më shkarkojnë. Jam i qartë që mandati im si kryetar i Bashkisë së Himarë ka mbaruar”, tha ai.

Exit mobile version