Krahu i djathtë i Vangjush Dakos kap Portin e Durrësit. Afrim Bakaj është emëruar sot në krye të Portit të Durrësit, pas shkarkimit të drejtorit aktual Artjon Qirici, që kishte vetëm 4 muaj në këtë post.
Bakaj dha dorëheqjen nga AKU muaj më parë. Nuk dihet arsyeja e shkarkimit të Qiricit, por Bakaj e ka lënë AKU-n pas marrëveshjes PS-PDIU, ku u vendos që PDIU të merrte drejtimin e këtij institucioni. Bakaj, njihet jo vetëm si një nga njerëzit më të afërt të Dakos, por edhe si një socialist i angazhuar në PS-në e Durrësit.
Gjatë fushatës, në qershor 2017, Afrim Bakaj është përfshirë në një sherr me grushta me Arbër Kokën, djalin e Lefter Kokës, ish-ministrit të Mjedisit. Afrim Bakaj është drejtori i ri i Portit të Durrësit, por përveç faktit që është prej vitesh anëtar i Partisë Socialiste, nuk dihet se mbi çfarë kriteresh është bërë përzgjedhja e tij në këtë detyrë. Afrim Bakaj është bërë shpesh herë protagonist në media për skandale që lidhen me detyrën e tij në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit apo gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 2017-ës.
Funksioni më i lartë që ai ka mbajtur ndonjëherë është posti i drejtorit të AKU-së, institucion që u konsiderua tërësisht i dështuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar.
Si drejtues i AKU-së, bazuar në raportin e KLSH, Afrim Bakaj është një prej pesë drejtorëve që ka cenuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike dhe sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve.
Por skandalet për Bakajn nuk përfundojnë me kaq. Në 2015-ën, televizioni ‘Channel One’ raportoi se Bakaj kishte punësuar në AKU nipin e gruas. I pyetur nga gazetari se mbi cilin kriter ishte bërë ky punësim, ish-drejtori tha se “të gjithë kanë të drejtë të punojnë”.
Ndërkohë, më 11 qershor të 2017-ës u raportua për një përplasje fizike midis grupeve të LSI dhe PS në Durrës. Sipas raportimeve nga qyteti bregdetar, në grupin e socialistëve ishin të gjithë njerëz të Bakajt. Ndërkohë, një ditë më vonë, një mbështetës i LSI publikoi në rrjetet sociale ofertën që sipas tij i kishte ardhur nga vëllai i Afrim Bakajt, për t’i dhënë paraprakisht çdo gjë që i ishte ofruar nga partia e Monika Kryemadhit. Sot, Afrim Bakaj është rikthyer sërish si drejtor i Edi Ramës, kësaj here në krye të portit më të madh të vendit.