Kredia 1.5 miliardë euro, organizatat mjedisore kundër financimi të gazsjellësit TAP

CEE Bankwatch, një rrjet organizatash mjedisore në Europën Qendrore dhe Lindore, i ka kërkuar bankave Europiane për zhvillim të mos e financojnë projektin e gazsjellësit TAP, duke cituar kompensimin e padrejtë të qytetarëve shqiptarë të prekur nga projekti – të cilën ato e cilësojnë si të panevojshëm për sigurinë energjetike të Europës. Të hënën presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim Suma Chakrabati do të vizitojë Tiranën, ndërkohë që BERZH po vlerëson një kredi prej 1.5 miliardë euro për Gazsjellësin Trans Adriatik, TAP, – kredia më e madhe në historinë e bankës. Projekti i gazsjellësit cilësohet i një rëndësie strategjike për sigurinë energjetike nga Bashkimi Europian dhe vendet Europës Jugore ku shtrihet dhe gjurma e tij. Megjithatë, një rrjet organizatash mjedisore pjesë të rrjetit CEE Bankwatch, i kanë kërkuar institucioneve financiare publike si BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve, të mos i miratojnë kërkesat e TAP për financim, duke cituar shqetësimet e banorëve shqiptarë në gjurmën e gazsjellësit – të cilët ankohet për kompensim të padrejtë për tokat e tyre. “Ne nuk themi që shpronësimet kanë qenë të padrejta, por që fshatarët dhe banorët e prekur besojnë që shpronësimet kanë qenë të padrejta,” tha Anna Roggenbuck, nga organizata CEE Bankwatch. I pyetur nga BIRN konsorciumi i cili po ndërton gazsjellësin i hedh poshtë akuzat e grupeve mjedisore, duke nënvizuar se procesi i shpronësimeve në Shqipëri ka qenë i bazuar në standarde ndërkombëtare. “Në shumicën dominuese këto kontrata me pronarët e tokave kanë qenë kontrata vullnetare,” i tha BIRN Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP për Shqipërinë.  “Mund të ketë njerëz që mund të kenë kërkesa por ne kemi një sistem ankesash që është funksional,” shtoi ai. Gazsjellësi Trans Adriatik TAP është pjesë e të ashtuquajturi Korridori Jugor i Gazit – një term i përdorur nga Komisioni Evropian për të përshkruar projektet infrastrukturore të planifikuara me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe diversitet të furnizimit me energji të BE-së duke transportuar gaz nga rajoni Kaspik për në Europë.  Ky sistem i ndërlikuar gazi ka një gjatësi prej 4 mijë kilometra dhe shtrihet në shtatë vende, duke përfshirë tre projekte gazsjellësash: Gazsjellësi i Kaukazit të Jugut, SCPX; Gazsjellësi Trans Anatolian, TANAP; dhe Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP. Gazsjellësi TAP realizon lidhjen më gazsjellësin TANAP në kufirin Turko-Grek, dhe më pas përshkon Greqinë e Veriut, Shqipërinë dhe Detin Adriatik për të përfunduar në rajonin e Puljas në Italinë jugore Aktualisht projekti është në fazën e zbatimit dhe ndërtimi në Shqipëri pritet të fillojë përpara datës 1 gusht. Megjithatë, sipas CEE Bankwatch, jo të gjithë banorët e prekur nga projekti janë kompensuar ashtu si duhet për të ardhurat që kanë humbur nga ndërtimi i kësaj infrastrukture gjigante gazi.  Roggenbuck i tha BIRN se një delegacion i udhëhequr nga CEE Bankwatch ka intervistuar rreth 80 familje të prekura nga projekti në Shqipëri, duke regjistruar pakënaqësitë e tyre mbi mënyrën se si TAP i kishte kompensuar për tokën e marrë me qira. Sipas organizatës mjedisore një pjesë e banorëve janë të pakënaqur me kompensimin e bërë nga kompania për pemët frutore ose ullinjtë e humbur, pagesat e komisioneve bankare për të marrë kompensimin nga TAP, si dhe mungesën hyrjes së lirë në të ashtëqujturat “toka jetime” në zonën e mbrojtur të gjurmës së gazsjellësit. “Pika kryesore [e ankesave] ishte se nuk i kanë nënshkruar marrëveshjet sepse kishin dëshirë, por sepse janë kërcënuar nga kompania ABKons që përfaqësonte TAP-in, se nëqoftëse nuk nënshkruanin qeveria do të përfshihej dhe do të merrnin më pak para,” tha Roggenbuck. “Kishte njerëz që nuk donin të firmosnin dhe nuk firmosën, por megjithatë u shprehën se shumë shpejtë do të ishin të detyruar për të hedhur firmën,” shtoi ajo. ABKons është një nënkontrakor i projektit TAP-it në Shqipëri nga viti 2009, dhe e ka asistuar këtë të fundit në analizën e vlerave të kompensimit, servitutit të tokës dhe të drejtat e kalimit.  Edhe pse pranoi që disa nga pronarët e prekur nga projekti mund të kenë kërkesa që nuk janë përmbushur, menaxheri i TAP në Shqipëri Shkëlqim Bozgo u shpreh se kompania ka përdorur një metodologji të bazuar në çmimin e tregut, e cila është aplikuar për të gjithë njëlloj. “Personave – toka e të cilëve do të përdoret nga projekti – i janë shpjeguar të gjitha parimet, [sepse] është një metodologji për të gjithë, dhe nuk është se kemi hyrë në negociata dhe dikujt i kemi dhënë një marrëveshje më të mirë dhe dikujt më ndryshe,” u shpreh ai. Bozgos i tha BIRN se që në fillimet e veta projekti TAP , zbatimin e ka bërë në përputhje me kërkesat e BERZH, sepse e ka pasur “synim të vetin financimin nga këto institucionet ndërkombëtare.” Përveç BERZH-it e cila po vlerëson një kredi prej 1.5 miliardë euro për projektin TAP, Banka Europiane e Investimeve po shqyrton gjithashtu një kredi prej 2 miliardë eurosh. Sipas CEE Bankwatch këto dy institucione financiare publike nuk duhet ta financojnë gazsjellësin TAP, pasi ky i fundit nuk mundëson sigurinë e furnizimit me gaz të Europës. “Ne besojmë që ky projekt është totalisht i padobishëm për Europën…sepse ky gazsjellës do të transportojë vetëm 3 % të konsumit vjetor të gazit,” tha Roggenbuck. Sipas ekspertes së CEE Bankwatch ndërtimi i infrastrukturës për transportin e gazit është zgjidhje e gabuar nga ana mjedisore, sepse ai mbetet një karburant fosil që duhet të mbahet në nëntokë.  Nuk na duhet dhe është dëmtues nga një pikëvështrim mjedisor dhe të ndryshimit të klimës,” tha ajo.  “Me këto para ne mund të investonim në eficencë energjetike, që do të na ndihmonte të kursenim në konsumin e gazit,” përfundoi Roggenbuck.

BIRN

Exit mobile version