Kreditë e këqija, rriten me 70 milionë USD në janar-mars

Në tre muajt e parë të këtij viti, kredia për ekonominë u rrit me vetëm 200 milionë lekë në total. Por për të njëjtën periudhë, kreditë e këqija u rritën me mbi 8 miliardë lekë ose 40 herë më shumë.
Pas uljes iluzive gjatë vitit të kaluar, kreditë e këqija kanë nisur të rriten sërish me ritme të shpejta. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, huatë me probleme u rritën me 1.5 pikë përqindje, duke përmbysur trendin e vitit të kaluar.
Sipas Bankës nga 17.37 për qind e totalit që ishin në dhjetorin e vitit të kaluar, kreditë e këqija kërcyen në 18.9 për qind në fund të muajit mars të këtij viti. Kjo do të thotë se në vlerë kreditë me probleme në rang vendi janë rritur për tremujorin e parë me mbi 8 miliardë lekë ose rreth 70 milionë dollarë.

Efekt kontabël

Syri.net e kishte paralajmëruar disa herë se, ulja e shumëtrumbetuar e kredive të këqija nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk ishte rezultat i përmirësimit të ekonomisë dhe aftësisë paguese të bizneseve, por vinte nga fshirja e tyre nga bilancet e bankave.  (Lexo http://www.syri.net/2016/04/14/iluzioni-i-uljes-se-kredive-te-keqija-bankat-fshine-220-milione-usd-hua-me-probleme-ne-2015-en/)
Vitin e kaluar qeveria dhe Banka e Shqipërisë miratuan disa rregullore, të cilat detyronin bankat të fshinin nga bilanci çdo kredi me probleme, që ishte klasifikuar si e tillë prej më shumë se 3 vjetësh.  Meqenëse ky detyrim vendosej për herë të para, ai prekte të gjithë stokun e kredive të këqija që janë krijuar që nga fillimi i tranzicionit.
Si rezultat, vitin e kaluar bankat private fshinë 26.5 miliardë lekë ose rreth 220 milionë dollarë amerikanë kredi të këqija nga bilancet e tyre. Ajo që qeveria dhe Banka e Shqipërisë raportonin si ulje në fakt ishte fshirje e kredive të këqija nga bilanci. Kjo ishte arsyeja se pse shifra kombëtare e kredive me probleme zbriti nga 24 për qind në 2014-ën  në 17 për qind në fund të vitit të kaluar.

Ristrukturim borxhesh

Nga ana tjetër, veç nxjerrjes masive jashtë bilancit, gjatë muajve të fundit Banka e Shqipërisë ka ndërmjetësuar ristrukturimin e disa portofoleve problematike. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se ka përfunduar ristrukturimi për disa kompani që bëjnë pjesë tek 35 debitorët më të mëdhenj problematikë në vend, të cilët kanë mbi gjysmën e kredive të këqija.
Këto shifra tregojnë se kreditë e këqija nuk po ulen për shkak të përmirësimit të situatës ekonomike në vend apo gjendjes financiare të bizneseve. Por arsyet kryesore të rënies janë fshirjet masive të kredive me probleme dhe ristrukturimi i tyre me ndërmjetësimin e Bankës së Shqipërisë

Shoqata e bankave

Cilësia e portofolit të kredisë shënon një përkeqësim prej 1.1%, në krahasim me dhjetorin 2015, si pasojë e rritjes së kredive në grupet nënstandard dhe të dyshimta. Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit mars arriti në 19.3%…
Shoqata e Bankave ka publikuar të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e parë të vitit 2016 sipas IFRS dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin mars 2016 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave për muajin mars, totali i aktiveve të bankave tregtare arriti në 1,328 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 1.3%. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me një raport të kredisë ndaj depozitave rreth 53.1%, dhe i mirëkapitalizuar me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.0% nga 15.7% në fund të muajit dhjetor 2015. Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, së bashku me interesat e përllogaritura, arriti në 1,109.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 2.8%, duke reflektuar besimin e vazhdueshëm të klientëve në sistemin bankar. Në rritje paraqiten si depozitat e individëve, ashtu edhe ato të bizneseve, por këto të fundit me një ritëm më të lartë rritjeje vjetore prej 11.4%.
Teprica e kredisë, në krahasim me një vit më parë, është 1.4% më e ulët. Kurse në krahasim me fundin e vitit 2015, teprica e kredisë paraqitet në rritje prej 0.53%, e ndikuar nga rritja e kredisë për individët me 0.51% dhe nga rritja e kredisë për bizneset prej 2.66%. Brenda kredisë për biznes, kërkesa për kredi e biznesit të madh ka mbetur e dobët përgjatë tremujorit të parë. Kredia e re e dhënë gjatë tremujorit të parë të vitit 2016 është rreth 48.1 miliardë lekë. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015, kjo shumë e kredisë së re është më e ulët, gjë që shpjegohet me ndikimin sezonal të biznesit: fundi i vitit kërkon realizimin e detyrave të parashikuara, kurse fillimi i vitit përkon me organizimin për detyrat e reja. Rreth 78.6% e totalit të kredive të reja janë dhënë për bizneset. Nga këndvështrimi i qëllimit të përdorimit, rreth 42% e këtyre kredive të reja ishin overdraft-e, të cilat kanë afate të shkurtra shlyerje dhe ofrohen në bazë rinovimi të vazhdueshëm, dhe 40.8% e këtyre overdrafteve të reja janë në monedhën lekë.
Cilësia e portofolit të kredisë shënon një përkeqësim prej 1.1%, në krahasim me dhjetorin 2015, si pasojë e rritjes së kredive në grupet nënstandard dhe të dyshimta. Në krahasim me dhjetorin 2015 kreditë nënstandard janë rritur me 15.5% dhe kreditë e dyshimta me 11.6%. Kreditë që kërkojnë vëmendje të veçantë janë ulur me 5%. Kredia me probleme, për shkak të fshirjes së kredive të humbura, në mars 2016 është 22.7 miliardë lekë ose 16.6% më e ulët se në fund të marsit 2015. Kredia me probleme për bizneset ka rënë me 16.1%, ndërsa ajo për individët ka rënë me 18.9%.
Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit mars arriti në 19.3%.

Artikulli paraprakBB: Rritje e shpejtë e borxhit në Kosovë
Artikulli tjetërPronat, turpi i qeverisë shqiptare del në Strasburg