Kreditimi, vetëm Shqipëria në rënie

Edhe pse kredia bankare për sektorin privat është ende në proces maturimi në Rajonin e Ballkanit, Shqipëria ka performuar dobët në krahasim me këto vende.
Sipas përllogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar teksa në vendet e Ballkanit, si Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kredia ndaj sektorit privat ka shënuar rritje nga 2-7 për qind në varësi të secilit vend, përjashtim ka bërë vetëm Shqipëria, e cila ka shënuar rënie të huasë me 2.9% më 2015.
Për shkak të kësaj situate, niveli i ndërmjetësimit të bankave në Shqipëri mbetet i ulët, me kredi të sektorit privat në rreth 35 për qind të PBB-së, krahasuar me 45 për qind të PBB-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se, kreditimi i ulët vuan nga dobësitë që rrjedhin nga euroizimi i lartë, ekspozimi i madh ndaj letrave me vlerë jolikuide të qeverisjes qendrore dhe kreditë e këqija gjithnjë e në rritje.
Mekanizmi i transmetimit monetar që synon të çlirojë kreditë vuan pasojat e një euroizimi të lartë. Kreditë në monedhë të huaj zënë dy të tretat e të gjitha kredive, nga të cilat rreth gjysma mbeten të pambrojtura.
Ndërsa normat e depozitave po vazhdojnë të bien në mënyrë të qëndrueshme, normat e kreditimit po bien me një ritëm më të ngadaltë, duke reflektuar nivelin e lartë të kredive me probleme.
Rënia në 2.9 për qind e kredisë për sektorin privat shpjegohet me një rregullore të 2015, e cila fshin nga bilancet kreditë e humbura pas një periudhe trevjeçare. Por Fondi vlerëson se me gjithë këtë masë niveli i huave me probleme nuk ka pësuar rënie domethënëse.
Pavarësisht kësaj situate, sistemi mbetet e qëndrueshëm, i mirë-kapitalizuar dhe likuid. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është rreth 16 për qind dhe raporti i likuiditetit është rreth 33 për qind, shumë më lart së kërkesat ligjore.
Edhe pse sistemi bankar shqiptar dominohet nga bankat e huaja (me një pjesë tregu prej 86 për qind), ato janë të financuara nga depozitat e brendshme.

Artikulli paraprak“Lufra” dhe “Erzeni” kanë fiskuar çmimet dominojnë 80% të tregut
Artikulli tjetërUrdhëri i Mjekëve: Vendimet e Fondit kanë çrregulluar tregun