Elita në pushtet në Moskë reagon gjithnjë e më me nervozizëm ndaj protestave të popullit. Përkundrazi, opozita po e humbet frikën.
Ato që të forcojnë janë fitoret. Në konfliktin në Moskë midis pushtetit shtetëror dhe opozitës,kjo e fundit ka dalë fituese morale. Kush e mbron një polic që rreh me shkop një vajzë të shtrirë përtokë, vetëm sepse ajo kërkon zgjedhje korrekte?
Kush duartroket për punonjësit e shërbimit sekret, që transportojnë të rinjtë e përgjakur prej tyre, sepse ata shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të demonstruar?
Kush e merr anën e nëpunësve me maska, që nxisin qentë e tyre të stanit kundër protestuesve? Simpatia është në anën e protestuesve. Madje gjithmonë. Imazhet e trupave të Kremlinit që rrahin pa mëshirë të shkaktojnë neveri. Ato bëjnë të qartë se në Rusi, pushteti ka përparësi ndaj së drejtës. Në një demokraci është e kundërta.
Pamjet që tregojnë demonstruesit që i rrahin i panë miliona; njerëzit janë indinjuar me atë që kanë parë, në Rusi dhe në mbarë botën. Kompanitë perëndimore, duke përfshirë Siemens-in, Wintershall-in ose Daimler-in, që vazhdojnë të investojnë në Rusi, duhet t’i shohin në fakt ato. Ai që e mbështet tani regjimin, duhet ta justifikojë veten në Perëndim.
Një zgjedhje në thelb e parëndësishme
Si mund të vinte puna deri këtu në Rusi? Bëhet fjalë për zgjedhjet për Parlamentin e qytetit të Moskës, më 8 shtator. Kjo të çudit. Sepse ky parlament vendos për pak gjëra. Për shkak të rëndësisë së vogël, askush nuk ka qenë i interesuar për këtë zgjedhje lokale, as votuesit.
Megjithatë, këtë herë donin të konkurronin dhjetëra kandidatë të opozitës, gjë që Kremlini e pengoi me argumenta jo bindës. Prandaj edhe protestat. Por kur qeveria godet edhe në një votim politik relativisht të parëndësishëm, çfarë do të ndodhë kur të vijë puna vërtet për çështjen e pushtetit: për zgjedhjet për në Duma, për zgjedhjet presidenciale?
Elita në pushtet që sundon me Presidentin Putin i frikësohet gjithnjë popullit. Dhe ka arsye të forta për këtë. Aparati shtetëror është i korruptuar. Ai duhet të përgjigjet për rrethanën që standardi i jetesës së rusëve po bie prej vitesh, që ekonomia është në stanjacion, që infrastruktura jashtë qyteteve të mëdha po shkatërrohet, që të rinjtë e arsimuar po largohen nga vendi.
Që nga e ashtuquajtura reformë e pensioneve, miliona të moshuar ndihen të mashtruar nga shteti. Presidenti Putin ka vite që u premton përmirësime bashkatdhetarëve të tij. Por atij nuk i beson më thuajse askush. Votuesit ka mundësi t’i ikin qeverisë.
Prandaj nuk lejohet që të kandidojnë politikanët e opozitës. Prandaj, kontrollohet shtypi, prandaj përndiqen penalisht gazetarët e pavarur. Kremlini u frikësohet protestave si djalli temjanit; një refleks tipik i pushtetit në një shtet ku nuk sundon e drejta.
Fundi i frikës
Elita e tanishme e pushtetit ende mbahet. Ajo ka frikë se do të humbasë burimet e të ardhurave. Por ajo sfidohet nga politikanët e opozitës, që e kanë humbur plotësisht frikën: që sakrifikojnë karrierën e tyre, që pranojnë t’i burgosin e përndjekin, që nuk kursejnë as jetën e tyre dhe as të shokëve të tyre. Ata fitojnë veçanërisht shumë autoritet, kur shteti përdor kundër tyre dhunën – si të shtunën.