Atletiko e Madridit është finalistja e parë e UEFA Champions League pas një gjysmëfinale kthimi me shumë episode, ku fati dhe pragamitizmi i skuadrës spanjolle luajti rolin e tij, pas një 90 minutëshi të fituar 2-1 nga Bajern, por me golin në fushën kundërshtare kualifikoi skuadrën e Simeones. Dy penallti të humbura, në këtë sfidë, nga një për çdo skuadër, por dhe një triumf të paktën në rezultat i stilit të El Cholos ndaj atij të Guardiolës, që largohet për herë të tretë radhazi në gjysmëfinale, duke i dhënë fund kështu dhe përvojës së tij bavareze. Bajerni, që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë sa i përket ritmit, sidomos në pjesën e parë, arriti të shënojë i pari me Alonson në të 31-ën, ndërkohë që Thomas Muller 3 minuta më pas nuk realizoi nga pika e bardhë, duke mos i dhënë Bajernit një epërsi të dyfishtë që mund të kishte sjellë një tjetër rrjedhë në këtë sfidë.
Atletiko, që shquhet për pragmatizmin e saj përpara porte, në të parën mundësi që ju krijua, barazoi rezultatin me anë të Griezzman në të 54-ën. Bajerni tregoi se gjithsesi mbetet një skuadër gjermane, pavarësisht stilit të tiki-takas, dhe në të 74-ën mori shpresë me golin e Lewandowskit, por në momentin më të mirë të vendasve, Atletiko fitoi një 11-metërsh jo pak të diskutueshëm me Torresin. Ashtu si Muller dhe spanjolli gaboi nga pika e bardhë. Shpresa që i dha Bajernit, Neuer me atë pritje nuk u konkretizua me gol, me Atletikon e Madridit që siguroi sërish finalen e UEFA Champions League, për herë të dytë në 3 vitet e fundit, në pritje tashmë të finalistes tjetër që do të dalë nga sfida mes Realit dhe Manchester City.
Atletico eliminoi në çerekfinale Barcelonën, derisa goli si mysafirë i Antoine Griezmann në “Allianz Arena” të martën mbrëma, eliminoi Bayern Munichun pas rezultatit të përgjithshëm 2:2.
Duke folur për këtë ndeshje dhe rrugëtimin deri në finale të Milanos, trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, tha se ekipi i tij eliminoi dy nga tre ekipet më të mira në botë. “Liga e Kampionëve është një kompeticion shumë i vështirë, por spektakular. Ne eliminuam dy nga tre ekipet më të mira në botë, pas vështirësive dhe vuajtjeve në katër ndeshje”, tha Simeone.
Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola ka thënë se është krenar me futbollistët e tij dhe i kënaqur me lojën që kanë treguar në dy ndeshje. Bayern u eliminua nga Atletico Madrid pas dy ndeshjeve me rezultat të përgjithshëm 2:2, por falë një goli të skuadrës spanjolle si mysafire. “Jam shumë krenar me skuadrën time. Ne kemi luajtur shumë mirë në Madrid dhe këtu”, tha Guardiola pas ndeshjes.
Arturo Vidal, u shpreh i pikëlluar për këtë eliminim, derisa tha se ekipi spanjoll shfrytëzoi rastet edhe përkundër se bavarezët ishin më të mirë se spanjollët. “Ishim ekip më i mirë në dy ndeshjet dhe dominuam. Ata shfrytëzuan rastet dhe për këtë janë në finale. Jemi të pikëlluar, por ne ende duhet të fitojmë trofe dhe këtë e dëshirojmë”, ka thënë Vidal.