Krenar për Portugalinë

Edhe pse humbi titullin në Spanjë, Cristiano Ronaldo përjetoi një sezon perfekt, duke fituar trofetë më të lakmuar: Champions dhe Euro 2016. Triumfi në turneun kontinental u cilësua një moment i paharrueshëm nga ylli i Realit, që realizoi objektivin. Përveçse një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit, Ronaldo do të mbahet mend si kapiteni i Portugalisë kampione të Europës.
“Jam shumë i lumtur. Ishte një triumf, të cilin kisha kohë që e kërkoja. Në vitin 2004, pas finales së humbur, i kërkova Zotit të më jepte një tjetër shans, pasi Portugalia dhe këta lojtarë e meritonin. Në finalen ndaj Francës isha i pafat dhe gjërat nuk shkuan mirë për mua, pas dëmtimit në minutat e para. Por, gjithmonë kisha besim te kapaciteti i bashkëlojtarëve të mi dhe te strategjitë e trajnerit. Ky është një prej momenteve më të lumtura në karrierën time. E kisha thënë gjithmonë se dëshiroja të fitoja me kombëtaren, për të hyrë në historinë e Portugalisë. E merituam suksesin, pas sakrificave shumëvjeçare. Fituam edhe pse askush nuk besonte te ne. Është një trofe për të gjithë portugezët, për të gjithë emigrantët dhe jam shumë krenar”, u shpreh Cristiano Ronaldo.
Në këtë mënyrë Cristiano Ronaldo nuk harroi 1,2 milionë emigrantët portugezë që jetojnë në Francë, ndërsa tashmë bëhet gati për fitoren e radhës. Me vitin historik, portugezi është kandidati kryesor për të fituar edhe Topin e Artë 2016.
Edhe pse në krye të skuadrës shkruajti historinë e Portugalisë, trajneri Fernando Santos u shfaq i përmbajtur dhe deri diku i ftohtë në konferencën për shtyp pas finales në Paris. Fernando Santos: “Është një arritje e madhe për të gjithë ne dhe për vendin tonë, jemi shumë të lumtur. Skuadra tregoi vullnet dhe një shpirt të jashtëzakonshëm, duke marrë në fund një fitore të merituar. Në minutat e para humbëm Ronaldon, por edhe në finale, kapiteni tregoi se është një shembull jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Nuk di të them çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por falënderoj djemtë, që nga faza e grupeve e deri në finale dhanë kontributin e tyre drejt triumfit”, u shpreg Fernando Santos.
Në konferencën për shtyp i pranishëm ishte edhe Pepe, që u shpall nga UEFA si Lojtari më i Mirë i finales, ku luzitanët i kaluan të gjitha parashikimet dhe thyen Francën organizatore. “Ishte një fitore e vështirë, pasi humbëm lojtarin më të mirë, atë që shënon gola dhe bën diferencën në fushë. Por, Zoti na ndihmoi dhe ishim të shkëlqyer në fushë. Luftuam fort, sepse e dinim që të gjithë në Portugali na mbështesnin dhe e ëndërronin këtë sukses. Është një moment fantastik. Kemi shumë talente që do t’i bashkohen përfaqësueses dhe mund të jemi ndër më të mirët në botë. Shkruajtëm një faqe të re të historisë së Portugalisë, por vazhdojmë të rritemi dhe të luftojmë duke sakrifikuar”, tha Pepe.

Artikulli paraprakCristiano Ronaldo një muaj larg fushave
Artikulli tjetërDeschamp i trishtuar: Humbje që dhemb