Kreu i Antimafias italiane: Mafia në Shqipëri, duart te politika e ekonomia

Organizatat kriminale shqiptare që veprojnë në Itali kanë rritur aktivitetin e tyre duke lidhur aleanca me grupet mafioze më të rëndësishme që veprojnë atje. Këto deklarata i bëri dje në Tiranë Drejtuesi i Prokurorisë së antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, i cili pati takime me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Kryeprokuroren Arta Marku. Sipas zotit De Raho, forcimi i organizatave shqiptare ka ardhur dhe si pasojë e përfshirjes së tyre në ekonominë e ligjshme dhe lidhjeve me një pjesë të politikës. Ai u shpreh se mes dy vendeve ka një synim serioz për të mposhtur krimin e organizuar.
Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për të goditur grupet kriminale shqiptare që veprojnë në të dy vendet ishin në qendër të takimeve që Kreu i Prokurorisë së antimafias italiane Federico Cafiero De Raho pati sot në Tiranë. Ndër vite organizatat shqiptare kanë shtrirë aktivitetin në shumë zona të Italisë, nga Jugu deri së fundi në disa pjesë të Veriut, falë dhe lidhjeve të vendosura me grupet mafioze italiane, që nga Sacra Corona Unita, te Ndrangheta, gjë që i ka lejuar atyre të përfshihen dhe në trafikun e kokainës. “Krimi shqiptar ka arritur një nivel të tillë zgjerimi në territor, pikërisht për shkak të aftësisë, jo vetëm për të administruar trafiqet e veta, por edhe për të lidhur aleanca me organizatat mafioze italiane, përveçse të hyjnë dhe në ekonominë e ligjshme dhe të kenë raporte me një pjesë të politikës”, u shpreh zoti De Raho.

Për kreun e antimafias italiane është e qartë se të arrish në nivele të tilla do të thotë që kriminaliteti shqiptar nuk ka hasur në pengesa të forta në territor dhe se për disa vite, struktura të caktuara që duhet ta luftojnë nuk kanë funksionuar si duhet. Por shtoi ai, “këtë vetdije e hasëm sot te ministri i Brendshëm i cili ka ndërmarrë disa masa që janë një sinjal i qartë për të mposhtur krimn e organizuar. Ndërkohë që nga ana tjetër bashkëpunimi që po vazhdon mes autoriteteve gjyqësore dhe forcave të policisë mes Italisë dhe Shqipërisë dëshmon se ka një synim të qartë nga të dyja palët për të mposhtur krimin e organizuar shqiptar”.
Palët po kryejnë prej disa kohësh hetime të përbashkëta përmes grupeve të përbashkëta hetimore. De Raho vlerësoi angazhimin e palës shqiptare sidomos në ruajtjen e sekretit, gjë e cila siç tha ai “është shumë e rëndësishme për besimin reciprok”. Ai e konsideroi si një instrument të rëndësishëm ngritjen e Task Forcës për goditjen egrupeve kriminale në Shqipëri apo dhe procesin e spastrimit të radhëve të policisë. “Eshtë një sinjal i qartë për seriozitetin në luftën kundër krimit, sepse që të kesh rezultate është e nevojshme një strukturë e besueshme dhe të identifikosh njerëzit me besueshmëri”, u shpreh kreu i antimafias italiane.
Ai tha se mbetet ende shqetësim trafikimi i kokainës dhe marijuanës drejt Italisë, duke theksuar se nisur nga rezultatet e vitit të shkuar kur numri i sipërfaqeve të mbjella u reduktua në mënyrë drastike, duket se ajo që po shkon ende drejt Italisë është sipas tij ajo pjesë e fshehur nëpër magazina”.

De Raho: Kokainë dhe kanabis nga Shqipëria në Itali

Kreu i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho shprehu shqetësim për trafikun e kokainës dhe kanabisit nga Shqipëria në Itali. “Grupet kriminale në Shqipëri po bëjnë aleancë me grupet në Itali. Shqetësohemi së tepërmi për trafikun e kokainës. Grupet kriminale janë të pranishme jo vetëm në bregdetin Jon dhe zonën e Kalabrisë, por edhe në pjesën veriore të Italisë, në Detin Adriatik. Sikur e kam thënë, po krijohen aleanca mes grupeve kriminale. Kemi zhvilluar hetime të përbashkëta dhe kemi vlerësuar rezultatet për hetimet e përbashkëta. Kemi bërë hetime domethënëse, që evidentojnë bashkëpunimin që kemi pasur me Shqipërinë.
Trafiku i kanabisit vijon të jetë shqetësim për Italinë. Edhe në takimin me Xhafajn e shpjeguam që shumë hetime janë çuar përpara. Është krijuar një Task Forcë dhe kjo është e rëndësishme. Kanabisi që prodhohet në Shqipëri shkon në Itali.
Duhet të krijohet një strukturë e besueshme dhe të individualizosh njerëzit e ndershëm. Gjatë punës time kam goditur grupet kriminale, të cilët kishin persona në polici. Për vite këto struktura nuk kanë funksionuar në mënyrë më të mirë dhe është e dukshme, këtë na e ka thënë edhe ministri i Brendshëm. Vetingu tregon dëshirën e mirë që të luftohet krimi. Operacionet mes dy vendeve janë serioze për të goditur grupet kriminale. Kanabisi që po vjen në Itali, është nëpër magazinat e Shqipërisë”, u shpreh De Raho.

Trafiku i kokainës jo më monopol i Ndraghetas, por i shqiptarëve

Prokurori kombëtar i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho në një prononcim për gazetarët tha se, trafiku i kokainës tashmë po bëhet nga grupet kriminale shqiptare. Ndërkohë që kjo ka qenë më parë monopol i Ndraghetas.
“Në Itali konstatojmë prezencë grupesh kriminale shqiptare që pushtojnë brigjet tona si në Adriatik dhe në Jon dhe zbarkojnë, duke trafikuar drogë. Kjo tregon se organizatat kriminale shqiptare bëjnë edhe trafik kokaine. Nëse ky sektor më parë ishte monopol i Ndraghetas, tani ka filluar të tërheqë edhe grupet kriminale shqiptare. Ka pasur një luftë për eliminimin e territorit të kanabisit, grupet shqiptare po tregtojnë edhe substanca të tjera”, u shpreh Federico Cafiero De Raho.
Vizita e kreut të Antimafias vjen në kohën, kur në Shqipëri ka hetime antidrogë edhe ndaj ish-zyrtarëve të policisë që dyshohet se kanë favorizuar kultivimin dhe transportin e hashashit. “Trafiku i kanabisit vijon të jetë shqetësim për Italinë. Edhe në takimin me Xhafajn e shpjeguam që shumë hetime janë çuar para. Është krijuar një njësi Task Forcë dhe kjo gjë është e rëndësishme. Kanabisi që prodhohet në Shqipëri sillet në Itali. Largimi i punonjësve të policisë që mund të kenë bashkëpunuar me grupet kriminale është shumë e rëndësishme. Duhet krijuar një strukturë e besueshme dhe të individualizohen njerëzit e ndershëm. Gjatë punës sime kam goditur grupet kriminale, që kishin lidhje në polici. Për vite këto struktura nuk kanë funksionuar në mënyrë të mirë dhe është e dukshme. Këtë na e ka thënë edhe ministri i Brendshëm. Vetingu tregon dëshirën e mirë për të luftuar krimin”, tha prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero de Raho.

Kreu i Antimafias italiane: Tahiri të hetohet njëlloj si çdo qytetar

Prokurori Kombëtar italian i Antimafias, Federico Cafiero De Raho foli edhe për hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet për bashkëpunim me grupin e Habiljave në trafikun e drogës drejt Italisë. Pas takimit me kryeprokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, kreu i Antimafias italiane dha mesazhin e qartë se duhet të shkëputen lidhjet e krimit me politikën dhe njerëzit e pushtetshëm.
I pyetur nga gazetëartët në lidhje me hetimet për Saimir Tahirin, Federico Cafiero De Raho tha se, ne zbatojmë ligjin në mënyrë të barabartë për çdo qytetar të çdo niveli, pavarësisht nga statusi politik apo shoqëror: “Bashkëpunojmë me ata që kanë në objekt të punës luftën kundër krimin e organizuar. Ne kemi një rregull: Zbatojmë ligjin në mënyrë të barabartë për çdo qytetar të çdo niveli, pavarësisht nga statusi politik apo shoqëror. Në Itali hetohet kushdo. Kjo është forca jonë në Itali”, tha kreu i kreu i Antimafias italiane.

R.POLISI

Exit mobile version