Kreu i FRPD në Gjermani, mbështetje nga CDU e Merkel për opozitë të fortë

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka marrë pjesë në punimet e Forumit Rinor të Partisë CDU të kancelares Merkel në Gjermani, ku ka takuar drejtues dhe anëtarë të forumeve rinore të CDU/CSU. Gjatë punimeve të Deutschlandtag 2017, Kongresit të Junge Union, Forumit Rinor të CDU/CSU, pata kënaqësinë të takohem me drejtues të forumeve dhe organizatave partnere të FRPD. Në një postim në FB, Këlliçi shkruan mbi zhvillimet e forumit dhe takimet e zhvilluara atje. “Me Kryetarin e Junge Union, Paul Ziemiak, diskutuam mbi intensifikimin e bashkëpunimit mes dy forumeve si dhe e falenderova përzemërsisht për mbështetjen e pakursyer që i ka ofruar FRPD dhe PD, në mënyrë të veçantë për fjalën e tij në ‘Çadrën e Lirisë’. Ziemiak na garantoi se Junge Union sëbashku me Fondacionin “Konrad Adenauer” Stiftung, do të japin ndihmesën e tyre në adoptimin e praktikave më të mira të të rinjve të CDU/CSU, për rritjen dhe fuqizimin e FRPD si dhe në funksion të përgatitjes së alternativave dhe një opozite të fortë e konstruktive ndaj një qeverie që ka shkatërruar çdo mundësi për të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Gjithashtu, pata mundësinë të diskutoj me Kryetarin e komunitetit të të rinjve demokratë në Europë (DEMYC), Javier Hurtado Mira dhe me Kryetarin e Unionit Ndërkombëtar Demokrat të të rinjve në botë (IYDU), Bashir Wardini, për praktikat më negative që qeveria e Edi Ramës ka implementuar me qeverisjen e tij që nga promovimi i kriminelëve, trafikantëve, mashtruesve e deri tek lehtësirat që i ka krijuar kultivuesve të drogës, që kanë përmbytur vendin dhe Europën me marijuanë “Made in Albania”. Partnerët tanë u informuan mbi rrezikun e madh të një eksodi tjetër masiv të shqiptarëve, për shkak të gjendjes së rëndë të kriminalitetit në vend si dhe pas implementimit të rritjes së taksave të parashikuara nga qeveria, e cila do të prekë çdo biznes e çdo familje shqiptare. I garantova ata se FRPD së bashku me PD do të bëjnë një opozitë të fortë dhe pa kompromis kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe me të korruptuarën që ka pasur ndonjëherë vendi ynë. Deutschlandtag 2017, i cili këtë vit u organizua në Dresden, pati si folës kryesore ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Dr. Thomas de Maiziere, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU, Dr. Peter Tauber, Komisionerin Europian për Buxhetin, z. Günther H. Oettinger dhe kulmoi me fjalën e Kancelares gjermane, Dr. Angela Merkel”.

Exit mobile version