Kreu i Antimafias italiane dhe Antiterrorizmit, Franco Roberti, gjatë inaugurimit të librit të tij për terrorizmin, u pyet nga gazetarët në lidhje me fenomenin e kanabisit në Shqipëri, dhe ai nuk e mohoi shqetësimin për këtë problem.
Roberti u tha gazetarëve se, në lidhje me këtë fenomen shqetësues kishte shkuar në Tiranë vetëm pak javë më parë. “Shkuam së fundmi, së bashku me prokurorët e Barit, Leçes dhe Catanzaros për të bashkëpunuar me kolegët shqiptarë në Tiranë, pikërisht për të nxitur një bashkëpunim më të ngushtë dhe duke kërkuar hetime në atë territor”, tha Prokurori.
Franco Roberti deklaroi se, tonelata me kanabis po zbarkojnë gjithnjë e më tepër në rajonet e Puglias dhe Kalabrisë. “Kemi parë që trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Kalabrisë dhe Puglias është rritur ndjeshëm. Flasim për tonelata dhe pikërisht disa ditë para se të shkonim në Tiranë, është sekuestruar një ton drogë në Puglia. Në takim u diskutua për këtë çështje, nga ky zbulim, por prej kohësh kemi verifikuar se trafiqet janë rritur ndjeshëm”, tha Roberti.
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franco Roberti, gjatë takimit me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në Tiranë, deklaroi se, me paratë e trafikut të drogës po financohen organizatat terroriste. Kreu i Antimafias italiane tha se, për të luftuar këtë fenomen dhe për të bashkëpunuar në kohë reale me Prokurorinë për Krime të Rënda, Antimafia italiane ka deleguar në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri një gjyqtar magjistrat, i cili do të asistojë e ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe për të rritur bashkëpunimin mes prokurorive.